Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të shmangin përshkallëzimin e situatës

Aktuale

Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të shmangin përshkallëzimin e situatës

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 17:41
Jens Stoltenberg dhe Aleksandar Vuçiq

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Serbisë dhe Kosovës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në teren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës, flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është e gatshme të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat