Kurti: Caku ynë është që të përmirësojmë kushtet arsimore dhe të ngrisim cilësinë

Aktuale

Kurti: Caku ynë është që të përmirësojmë kushtet arsimore dhe të ngrisim cilësinë

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 10:43
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci kanë marrë pjesë në përurimin e objektit të ri të shkollës “Luigj Gurakuqi” dhe sallës së edukatës fizike. Në paralelen e ndarë të kësaj shkolle në Batllavë të Podujevës, Kurti ka thënë se nxënësit e mësimdhënësit do të kenë kushte më cilësore për arsim. Po ashtu, shefi i ekzekutivit u zotua se deri në fund të vitit do të finalizohen 17 objekte parashkollore ku do të arsimohen rreth 1800 fëmijë. 

Mëngjesin e së enjtes, kryeministri e ministrja e Arsimit morën pjesë në përurime të shkollave në Podujevë. 

Kryeministri Albin Kurti tha se duke krijuar kushte më të mira infrastrukturore për procesin arsimor do të ngritët edhe cilësia në arsim. 

Kurti: Ju presin 10 dhoma mësimi të pajisura me inventar bashkëkohor 

“Me këtë objekt të ri shkollor me sipërfaqe të përgjithshme prej 1100 metra katror, ju presin 10 dhoma mësimi të pajisura me inventar bashkëkohor, të cilat do të jenë në shërbim të nxënësve dhe të komunitetit. Tani ato dhoma mësimi duhet të gumëzhijnë me tinguj pune. Aty duhet të nxitet kureshtja e nxënësve për dije që nesër të kemi profesionistë të mirë e qytetarë të përgjegjshëm. Të tillë që do t’i kontribuojnë zhvillimit të kësaj ane dhe gjithë vendit tonë. Më herët ishim edhe në përurimin të sallës së edukatës fizike me sipërfaqe prej 700 metra katror. Sepse në shkollat tona na duhen edhe librat e bankat për mësimin, por edhe sallat sportive dhe gjimnastika për shëndetin. Për një trup të disiplinuar dhe të shëndetshëm të fëmijëve tanë. Për një mendje të kthjellët e të ditur të nxënësve tanë, na duhen që të dyja”, ka thënë Kurti. 

Më tej, ai foli edhe për rolin e mësimdhënësve, ku tha se roli i tyre është i pazëvendësueshëm. 

Kurti: Deri në fund të vitit do të finalizohen 17 objekte parashkollore 

“Arsimi është shtylla jonë qendrore mbi të cilën zhvillohen të gjitha fushat tjera të shtetit dhe shoqërisë. Ne po punojmë me një qasje shumëdimensionale që ta forcojmë arsimin në vend. Caku ynë është që të përmirësojmë kushtet arsimore, por edhe ta ngrisim cilësinë. Për këtë qëllim e kemi ngritur buxhetin e arsimit në këtë vit për 12 për qind... Deri në fund të këtij viti priten të finalizohen 17 objekte parashkollore ku do të arsimohen dhe edukohen rreth 1800 fëmijë. Ndërkaq për tri vitet e ardhshme tani më kemi siguruar 18 milionë euro për investime fillestare në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në infrastrukturën përkatëse në shkolla”, ka shtuar ai.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është zotuar se kanë prioritet arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës. 

Nagavci: Po punojmë pa u ndaluar dhe me përkushtim të madh në shumë drejtime 

“Krahas politikave arsimore ne po vazhdojmë të përmirësojmë infrastrukturën shkollore gjithandej në komunat e Republikës së Kosovës. Duke e ditur rolin e rëndësishëm që e ka ambienti shkollor në mësimnxënie e mësimdhënie. Po punojmë pa u ndalur dhe me përkushtim të madh në shumë drejtime, duke i kaluar një nga një të gjitha vështirësitë në mënyrë që secila shkollë, secila klasë, secili mësues në Kosovë të jetë i gatshëm dhe i motivuar për të punuar dhe për t’i ndihmuar secilit fëmijë që të arrij potencialin e plot të tij ose të saj. Në këtë objekt shkollor tash e tutje nxënësit e paraleles së ndarë të shkollës “Luigj Gurakuqi” do të arsimohen e do të kenë mundësinë të zhvillojnë mësimin në kushte moderne në këtë objekt bashkëkohor” , tha Nagavci. 

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se me qeverisjen në këtë komunë, prioritet mbetet ofrimi i kushteve më cilësore për fëmijët në shkolla duke ndërtuar objekte të reja shkollore, salla sportive e kabinete. 

Bulliqi: Kjo shkollë do të ofrojë mundësi të reja për mësimdhënie dhe mësimnxënie 

“Ka qenë nevojë dhe kërkesë e kahershme e kësaj ane. Kjo shkollë me infrastrukturë të kompletuar, moderne do të ofrojë mundësi të reja për mësimdhënie dhe mësimnxënie për nxënësit e fshatit Batllavë dhe fshatrave përreth... Investimi më i mirë dhe më i duhur është pikërisht investimi në arsimin dhe edukimin e brezave të rinj. Sepse janë pikërisht ata të cilët me dijen e fituar do të kontribuojnë në ndërtimin e së tashmes dhe të ardhmes së komunës dhe shtetit tonë”, ka thënë ai. 

Kujtojmë se as në shkollën e fshatit Lluga dhe as në atë Batllavës sot nuk është duke u zhvilluar mësimi për shkak të grevës së përgjithshme në arsim tash e 14 ditë. Në shkollën fillore në Lluga mësimdhënësit kanë ndarë vetëm tekstet shkollore për nxënësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat