Reagon sërish Nagavci: SBASHK-u po i injoron veprimet e Qeverisë

Aktuale

Reagon sërish Nagavci: SBASHK-u po i injoron veprimet e Qeverisë

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 19:13
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve.

Nagavci me anë të një postimi në Facebook, ka shkruar duke bërë krahasime me Maqedoninë e Veriut dhe Norvegjinë, se si sipas saj, greva në këto vende është ndërprerë pasi u është plotësuar një një pjesë e kërkesave.

“Para disa muajsh mësimdhënësit e Maqedonisë hynë në grevë duke kërkuar rritje të pagave. Nuk pritën që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por ndërprenë grevën kur Qeveria u’a plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë, ndërsa u përkushtua për trajtimin e kërkesave të mbetura nëpërmjet reformave më sistematike në të ardhmen. Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria ua plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë”, ka shkruar Nagavci.

“Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë”.

Ajo përmendi edhe rastin në Bullgari, se si greva u ndërpre, kur qeveria ua rriti pagat për 48 për qind.

“Në shumicën e rasteve tjera, grevat zgjasin disa orë ose një ditë. Sepse, qëllimi është vendosja e kërkesave të tyre në agjendë dhe trajtimi i tyre sistematik nga vendim-marrësit, e jo të gjitha dhe menjëherë. Dhe, sidomos jo dëmtimi i nxënësve”.

E para e Arsimit ka thënë se se këtë herë SBASHK-u kanë vendosur të injorojnë ofertat shumëfish më të mira.

“Por, për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre”.

“Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike”.

“Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale. Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë”.

Ajo u ka bërë thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat