​Nagavci: Janë humbur 580 mijë orë mësimi, SBASHK-u ta ndërpresë grevën

Aktuale

​Nagavci: Janë humbur 580 mijë orë mësimi, SBASHK-u ta ndërpresë grevën

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 16:30
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci i ka bërë serish thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv për zgjidhjen e problemeve në sektorin e arsimit.

Në një postim në Facebook, ministrja Nagavci ka thënë se ndërprerja e plotë e punës pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka asnjë justifikim në kushtet kur Qeveria ka ndërmarrë vendime për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodh për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBASHK”, ka thënë Nagavci.

Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për mos zëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MASHTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit”, ka thënë Nagavci.

Ndryshe, nga data 25 gusht SBASHK-u ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë. Deri më tash nuk ka pasur asnjë pajtim për ndërprerjen e grevës, ndërkohë që kjo sindikatë ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat