Edhe pse i shkarkuar me votë të përbashkët të partisë së Milo Gjukanoviç, proserbëve të Aleksa Beçiç, partisë boshnjake dhe asaj shqiptare të Mehmet Zengës; kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç është pritur nga zyrtarë të lartë të qeverisë së SHBA. Të cilët e bënë qartë, se e konsiderojnë URA-n dhe Dritan Abazoviçin, një faktor kyç të orientimit properëndimor të Malit të Zi. Që do të thotë se çdo qeveri që do krijohet, nuk mund të mos ketë faktor të rëndësishëm Dritanin.
I cili deklaroi për ‘Zërin e Amerikës’, se nëse do të formohej një qeveri e partive të krahut proserb, URA do të duhet të kishte gjysmën e qeverisë, si dhe portofolet e ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, ministrisë së Jashtme, të Drejtësisë dhe Shërbimin Sekret.
Tashmë është e qartë se Abazoviç është një faktor politik në rritje në Mal të Zi, i cili është edhe alteregoja kryesore e figurës numër një të politikës atje, Milo Gjukanoviç.
Në këtë konstelacion politik, ai që gjërat po i sheh më qartë është natyrisht Gjukanoviç, i cili nuk duket se ka ndërmend të mbajë fjalën për t’u larguar nga politika, por edhe të qëndrojë nuk e ka të lehtë. Gjithsesi, Milos i duhet që së pari ta shkatërrojë politikisht armikun e tij, i cili jo vetëm i ka arrestuar një njeri të afërt, ish-kreun e Gjykatës së Lartë, por edhe sekuestroi pak javë më parë një sasi të madhe cigaresh kontrabandë në Portin e Tivarit, që ishin pronë e grupeve pranë tij.
Dhe si dinak që është, Gjukanoviç nxori në sulm kundër Dritanit, një shqiptar. Bëhet fjalë për Luigj Shkrelin, i cili është deputet i DPS-së, partisë që drejton presidenti i Malit të Zi.
Shkreli pak a shumë tha se Dritani tashmë ka mbaru, nuk do të ketë më asnjë post të lartë, e gjëra të tilla. Që dukeshin më shumë si dëshira të shefit të tij sesa një logjikë politike. Gjithsesi, përveç një lëvizje djallëzore, përdorja e një shqiptari për të sulmuar shqiptarin tjetër, tregon realisht krizën dhe kaosin politik të përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi.
Nuk është rastësi që Gjukanoviç tërhoqi me kërkesë ultimative Mehmet Zengën që të votonte për rrëzimin e qeverisë së Dritanit, pasi kërkon ta theksojë se “shqiptarët e vërtetë” janë me Milon, e “Abazoviçi është shkja”, siç e shajnë rëndom gazetarë e politikanë turbofolk kudo nëpër rajon.
E vërteta më e qartë dhe tepër e rëndësishme është se asnjëherë Mali i Zi nuk ka pasur, e ka mundësi që të mos ketë, një kryeministër të kombësisë shqiptare. Pasi, në bazë të numrave, ai o do të jetë malazez ose serb, që përbëjnë dhe dy kombësitë kryesore në vend. Me përfaqësimin etnik të formulës së vjetër, shqiptarët do të marrin pikat e “benefiteve” që lëshon Milo, e jo realisht atë që meritojnë.
Shikoni Ulqinin apo edhe zonat e tjera shqiptare për të parë se si ka qenë politika ndaj tyre. Një mrekulli natyrore me potencial shumë të madh turistik është lënë pa infrastrukturë pikërisht për ta penguar këtë zhvillim, për ta lënë një apendiks si një plazh patriotik, e jo si një fuqi potenciale për ta kthyer turizmin në industri që prodhon miliona, shumë herë më shumë se Budva.
Megjithatë, nuk se Dritan Abazoviç është “i pikuar nga qielli”, apo një politikan ideal që mund të bëjë mrekullira për shqiptarët. Por fakt është se Dritani, arriti të bëhet faktor kyç në politikën e Malit të Zi dhe sot për sot është ‘kingmaker’ i vendit fqinj ku jetojnë shqiptarë. Pa 4 deputetët e tij asnjë palë nuk bën qeveri, e kjo është e qartë. Ndaj dhe shqiptarët, nuk kanë përse bëhen bisht i halleve të Milo Gjukanoviçit. Ka ardhur koha, që të ridimensionohen idetë e operimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi, natyrisht pa hedhur poshtë ato që Gjukanoviç ka bërë në partneritet me shqiptarët. Se në fund të fundit, pa votat e shqiptarëve, Mali i Zi nuk do të bëhej asnjëherë shtet i pavarur në referendumin e 2006-s dhe këtë e di mirë edhe Milo, që e ka përsëritur shpesh.
E ajo votë e 2006-s, i ka bërë shqiptarët jo “manjina”(pakicë shën.red) por një popullsi shtetformuese. Pa shqiptarët, Malin e Zi e qeverisin partitë serbe, të cilat edhe ato kishin nevojë për shqiptarin Dritan Abazoviç, që me dinakëri ju mori 40 përqind të pushtetit dhe kontrollin e institucioneve të sigurisë, me izmin, mbështetjen dhe mbrojtjen e SHBA. Nëse Dritani do të ishte një aset serb, nuk do ta mbështeste kaq fort SHBA, e kjo është e qartë.
Ndaj faktori shqiptar, nuk ka përse bën atë që bëri Luigj Shkreli dje, e Mehmet Zenga në votimin për votëbesimin e qeverisë. Milo Gjukanoviç dhe aktorët e tjerë politikë në Mal të Zi, do të duhet ta ridimensionojnë rolin e shqiptarëve, qoftë edhe duke mbështetur një Dritan tjetër për poste të larta në vend. Tabuja u thye, e nuk duhet të kthehet mbrapsht, pasi pa shqiptarët sot Mali i Zi do të ishte pjesë e influencës së Moskës, me të cilën Milo i ka pasur mirë punët dhe u dha gjysmën e bregdetit në dhjetëvjeçarin e fundit. Kurse Shqiptarët janë ai aset politik që duhet fuqizuar, duke u bashkuar, por edhe zgjuar atje ku është asimiluar. Si për shembull në Plavë, Guci, Krajë etj, ku shqiptarët votojnë për parti boshnjake e malazeze.
E fuqinë politike të shqiptarëve, e nxori në pah Dritani, pa marrë asnjë votë prej tyre. E kjo nuk është gjë tjetër por një talent politik i spikatur. Kryeministri i sotëm i Malit të Zi, i treti kryeministër shqiptar në rajon, nxori në breg krizën e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, e cila kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë. Ky shans nuk vjen më, përndryshe do të flasim vazhdimisht për shqiptarë të zotë por që kanë qenë instrumente dhe jo aktorë të politikës në vend. A nuk flasim sot për Mark Milanin, shqiptari që aq shumë ka sjellë vepra studimore për bashkëatdhetarët e tij, por në fund i shërbeu Knjaz Nikollës për të shtypur kryengritjen e malësorëve?
Abazoviç, tregoi se të bëhesh “Knjaz” në Mal të Zi është mjaft e mundur, e prandaj kjo arritje duhet mbajtur me zgjuarsi e bashkim politik…Pamfleti