​Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit 12 vjet më parë

Aktuale

​Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit 12 vjet më parë

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 07:19
​Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 27 shtator 2010, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se ai kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës ai u është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur", tha Sejdiu.

Presidenti i dorëhequr, Sejdiu, theksoi se kishte mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.

Sidoqoftë, ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.

Para se të publikonte vendimin për dorëheqje, Sejdiu zhvilloi takime të mbyllura me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit.

Më pas, Sejdiu i komunikoi vendimin edhe kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte Kryesia e LDK-së, që pak më vonë doli me një komunikatë me shkrim, me të cilën përshëndet vendimin e Sejdiut, duke e çmuar atë si akt të lart moral.

Që nga zgjedhja në postin e presidentit, shumë nga analistët, mediat dhe deputetët kishin rikujtuar Sejdiun se po shkelte Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së.

Por, nismën zyrtare për të proceduar këtë rast te Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, i cili tani beson se jo vetëm Sejdiu, por përgjegjës për këtë shkelje janë edhe partneri i tij në koalicion, Hashim Thaçi, dhe i gjithë koalicioni aktual, pasi që, sipas tij, kanë ndërtuar një marrëveshje qeverisëse duke mos e respektuar Kushtetutën.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat