Në seancën e shqyrtimit të dytë, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjykatësi Luan Berisha ka thënë se do të marrë vendim jashtë seancës lidhur me kundërshtimet e paraqitura nga mbrojtja.
Në këtë rast, kompania “NABS” Sh.p.k, “Cons eng” Sh.p.k, si dhe të akuzuarit Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla, po akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarve Pupa, Skeja dhe Syla, avokatët Arianit Koci, Arbër Guta dhe Naim Rudari, kanë paraqitur me shkrim kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe të njëjtat i kanë elaboruar në pika të shkurta.
Avokati Koci, ka thënë se prokuroria në provat e propozuara nuk ka bazë juridike për ngritje të aktakuzës dhe se e njëjta duhet të hudhet poshtë si e pabazuar.
“Mos lejoni kjo kundërligjshmëri me vazhdu, mos i dëmtoni, janë traumatizu, këta janë biznesmenë të ndershëm që kurrë nuk kanë pas problem me ligjin”, tha Koci.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Skeja, avokati Guta ka thënë se aktakuza duhet të hudhet poshtë pasi që sipas tij gjatë hetimeve janë bërë shumë shkelje që janë dërguar në ngritjen e kësaj aktakuze.
Sipas tij, provat e propozuara në aktakuzë shkojnë në favor të të mbrojturit të tij dhe se i njëjti asnjëherë nuk ka pasur probleme në veprimtarinë e tij ekonomike.
Gjithashtu, ai ka thënë se gjykata duhet të hudh poshtë aktakuzën për shkak se nuk ekziston dyshim i bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Rudari ka thënë se në aktakuzë nuk figuron pala e dëmtuar dhe se nuk ka ndonjë kërkesë nga askush që është paraqitur si palë e dëmtuar.
“Ne nuk kemi fare palë të dëmtuar figurativisht në aktakuzë dhe se nuk e di tani nga po rrjedh një palë e dëmtuar. Prokuroria përmend një dëm, por nuk ka propozuar të dëgjohet askush si palë dëmtuar dhe deri tani nuk kemi asnjë kërkesë të askujt që të futet si palë e dëmtuar”, tha Rudari.
Lidhur me këtë, gjykatësi Berisha tha se prokuroria me parashtresë pas ngritjes së aktakuzës e ka njoftuar gjykatën për palën e dëmtuar.
Sa i përket kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, avokati Rudari ka thënë se prokuroria mbështet aktakuzën e saj në një faturë fictive, por sipas tij e njëjta është e evidentuar edhe pranë institucioneve të Administratës Tatimore të Kosovës.
Për këtë, Rudari tha se nuk ekziston asnjë element i veprave penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij dhe si e tillë aktakuza e prokurorisë duhet të hudhet poshtë.
Në fund, prokurorja Merita Kurtishi-Gaka ka thënë se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara dhe se janë në kundërshtim me faktet dhe provat me të cilat është mbështetur aktakuza.
Sipas saj, provat e propozuara në aktakuzë janë të nxjerra konform dispozitave ligjore dhe se me administrimin e tyre në këtë gjykatë do të arrihet në përfundim se ekzistojnë elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit “NABS” SH.P.K në cilësinë e personit juridik dhe personat përgjegjës Gent Pupa dhe Shahin Skeja po akuzohen se më 26 qershor 2020, në kuadër të veprimtarisë afariste, kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në procedurën e prokurimit, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit.
Po ashtu, aktakuza thotë se ata kanë prezantuar faturën fiktive me numër 1052020, e datës 1 maj 2020 kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar, me ç’ rast përfitojnë 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë, në të cilën shumë akuzohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3, lidhur me par. 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje, sipas aktakuzës “NABS” SH.P.K, Gent Pupa dhe Shahin Skeja po akuzohen se më 26 qershor 2020, përmes personave përgjegjës- pronarëve Gent Pupa dhe Shahin Skeja, në kuadër të veprimtarisë afariste, përdorë dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me personin juridik- të pandehurin “CONS ENG” SH.P.K, lëshon faturën me përmbajtje të rreme, me përshkrim: “1.shenja standarde të trafikut, 2. Karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menagjimin e trafikut në rast të bllokimit të një shiriti qarkullues Ecoquartz”, kinse ky subjekt ia shet të pandehurit “NABS” sh.p.k këto pajisje.
Me këto, veprime po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, sipas kësaj aktakuze i pandehuri “‘CONS ENG” SH.P.K dhe Bekim Syla si person përgjegjës dhe pronar, po akuzohen se më 26 qershor 2020, përmes personit përgjegiës- pronarit Bekim Syla, në kuadër të veprimtarisë afariste, ndihmon të pandehurit Gent Pupa dhe Sahin Skeya, si pronar dhe persona përgjegjës të personit juridik “NABS” SH.P.K, ashtu që këtij të fundit i lëshon faturën me numër 1052020, të 1 majit 2020 me përmbajtje të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurë të prokurimit.
Aktakuza thotë se atë dokument më pas të pandehurit: personi juridik “NABS” sh.p.k, Gent Pupa dhe Sahin Skeja, e prezantojnë me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, konkretisht në procedurën e prokurimit me numër 622-20-2058-2-1-1, me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, ku si autoritet kontraktues ka qenë Kuvendi Komunal i Prizrenit, me të cilin veprim i pandehuri iu ndihmon këtyre të përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë.
Me këto veprime, po akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Keqpëdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3 lidhur me par. 1, lidhur me menin 33, të Kodit Penal nr. 06/L-074.
Gjithashtu, i pandehuri “CONS ENG” sh.p.k dhe Bekim Syla po akuzohet se më 1 maj 2020, përmes personit përgjegjës- pronarit Bekim Syla, në kuadër të veprimtarisë afariste, përpilon dokument të falsifikuar, ashtu që personit juridik- të pandehurin “NABS” sh.p.k, i lëshon faturën me numër 1052020, të 1 majit 2020, me përmbajtje të reme, me përshkrim: “I.shenja standarde të trafikut, 2. karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rast te bllokimit të nje shiriti qarkullues Ecoquartz”, kinse ky subjekt ia shet këto pajisje të pandehurit “NABS” sh.p.k, e cila përfiton lidhjen e kontratës me Kuvendin Komunal të Prizrenit të 22 shkurtit 2021, në shumën prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë.
Me këto veprime, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal nr.06/L-074.