Këshillit Grevist të SBASHK-ut i shkojnë përgjigjet e para të anëtarësisë për pezullimin apo jo të grevës

Aktuale

Këshillit Grevist të SBASHK-ut i shkojnë përgjigjet e para të anëtarësisë për pezullimin apo jo të grevës

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:38
Foto ilustrim

Anëtari i Këshillit Grevist, Zenun Nimani ka thënë se vendimi i sotëm i SBASHK-ut nuk nënkupton ndërprerje të grevës.

“Kjo që ka ndodhur sot është komunikim i vazhdueshëm me anëtarësinë. Këtë gjë ne e kemi bërë vazhdimisht. Mirëpo kësaj radhe ne i kemi pyetur ata se si duhet të veprojmë në të ardhmen. Ne këtë njoftim në fillim e kemi përcjellë te mediat pastaj te anëtarësia. Deri më tani unë kam marrë disa përgjigje”, tha Nimani.

Ai ka thënë se disa prej anëtarëve të SBASHK-ut tashmë i kanë dërguar përgjigjet por thotë se megjithatë këto përgjigje janë të pakta dhe gjatë ditës së nesërme do të kompletohen edhe përgjigjet tjera.

“Disa prej anëtarëve të SBASHK-ut kërkojnë pezullimin e grevës por kanë edhe kërkesa tjera, disa tjerë thonë se duhet vazhduar greva. Ne do të marrim mendimin e anëtarëve dhe nga të vendosin shumica do të vendosim edhe ne”, deklaroi Nimani.

Anëtari i Këshillit Grevist thotë se nuk është se SBASHK-u nuk ka bërë rezistencë, por që sipas tij nxënësit janë ata që po i shtyjnë të marrin hapa tjerë.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) ka bërë të ditur se ka kërkuar mendimin e anëtarësisë për pezullimin e grevës në arsim.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se Këshilli Grevist i SBASHK-ut, bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat