Pse duan ta ndajnë Kosovën? / Ku motivohen, ata që kërkojnë shkëmbimin e territoreve?!

Aktuale

Pse duan ta ndajnë Kosovën? / Ku motivohen, ata që kërkojnë shkëmbimin e territoreve?!

Nga: Idriz Morina Më: 3 tetor 2022 Në ora: 19:56
Hashim Thaçi, pak kohë para arrestimit nga gjykata speciale

Përpjekjet për rikthimin e projeksionit serb për ndarjen e Kosovës, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve, veçmas, pa saktësuar, që ajo të bëhet metër për metër, janë antikombëtare. Sikur ky parim, atë që e kem theksuar në vazhdimësi (shkëmbimi metër për metër), edhe t’i shtohej, nga të gjithë ata, që këtë kërkesë e promovojnë sot, dhe kur këtë tezë e kultivonte Hashim Thaçi, edhe nëse nuk mund të quhej korrekte, të paktën, mund të thuhej se nuk ishte lëshim dhe tradhti e qëllimshme.

Pra, edhe sot, autor të ndryshëm dhe politikan, që ditëve të fundit, i kanë shtuar përsëritjet e këtyre tezave, pa argumentuar shterueshëm, se pse opsioni i mosndarjes nuk duhet të jetë në tryezë, ngarendin, thuaja se kanë gjetur shkopin magjik, me të cilin sipas tyre, do ta prejnë ‘nyjën gordiane’.

Në fakt, çështja e bisedimeve Kosovë-Serbi, nuk është “nyje gordiane”. Përkundrazi është një artific politik, i krijuar qëllimshëm, pas luftës, apo thënë më butë aksidental, kur në një territor të çliruar suksesshëm nga NATO-ja, u krijua pas dëbimit të forcave serbe dhe ikjes së serbëve nga veriu, një tampon zonë, mbi urën e lumit Ibër.

Kjo u krijua, nga një narracion politik serbo-rus, që brenda forcave ndërkombëtare, arritën me inskenime dhe mënyra tjera, ta krijonin iluzionin, si një zonë apo një pengesë, në Urën e Ibrit, përtej së cilës, ‘serbët mund të jetonin të lirë’ apo të paprekshëm.

Për më keq, situata u la të rrëshqiste jashtë duarve të sigurta të NATO-s, dhe atje u bë një prani e jashtëzakonshme, e forcave të sigurisë serbe, nën petkun civil. Një ndihmë të madhe për këtë, dhanë forcat e dështuara të UÇK-së, të udhëhequra nga Thaçi dhe Veseli, të cilat sidomos në shkurt të vitit 2000, lejuan dëbimin e dhunshëm nga veriu nga forcat paramilitare serbe, të më se 14 mijë shqiptarëve, me dhjetëra viktima, ndodhi ndryshimi dramatik, demografik dhe me pasoja politike, i cili ende nuk po mund të korrigjohet.

Me shumë gjasë, duke e kuptuar këtë gabim trashanik që e kanë bërë Thaçi dhe të tjerët pas luftës, i hynë ‘valles’ jo të korrigjimit të gabimeve si thoshin ata, por të ‘korrigjimit të historisë’, e cila do t’i bënte fajtor kurdo. Dhe si shpëtim, të aktit të kryer, me shumë gjasë, ata e mendonin se ‘shkëmbimi i territoreve’, ishte një mbulim ideal, i dështimit politik.

Por, kjo do të ishte kuptuar si një përpjekje jo negative, nëse do të kishin theksuar në deklarimet dhe qëndrimet e tyre, përfshirë ato të fshehta, që shkëmbimi duhej të respektonte, vlerën gjeografike.

Ngutia, për të hyrë në histori para kohe, dhe ngutia, për të korrigjuar historinë para kohe u ka lënë pas barrën e papastërtisë së madhe.

Po, pse nuk duhet pranuar ‘shkëmbimin e territoreve’?

Së pari, këtë nuk e ka parë si opsion serioz asnjëherë as Amerika e Trampit, pra në kohën kur Hashim Thaçi dhe njerëz të tjerë, kur ishin të infiltruar në këtë projekt, para së gjithash serb, proserb, rus, e prorus.

Së dyti, Serbia as që është duke e marrë në konsideratë tani, duke e parë si një opsion, qoftë të parealizueshëm, qoftë si një opsion, që duhet lënë vetëm në një kohë tjetër.

Nëse në kohën e Hashim Thaçit, Serbia apo Vuçiqi dhe klani i tij, mund ta shihnin si një shans të mirë, gllabërimin e një pjesë të Kosovës, të humbur me luftë, dhe duke hequr pjesën më të madhe demografike të shqiptarëve, nga gjeografia e saj, Preshevën jo të plotë (pa vijën e autostradës) dhe disa fshatra të Bujanocit, ky plan duket i kapërcyer për Beogradin.

Serbia ka kaluar në një plan të ri strategjik, që ka të bëjë me një planifikim afatgjatë, që në një të ardhme jo shumë të largët, siç shprehen edhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, besojnë se rrethanat gjeopolitike do të jenë në favor të saj, dhe se shqiptarët si janë do të humbin përkrahjen.

Në atë rast Serbia, parashikon se mund ta marrë edhe krejt Kosovën, duke e vendosur nën kontroll, duke i lejuar një status me autonomi të lartë.

Në rrethanat aktuale, ku Serbia është vendosur hapur në mbështetje të Rusisë, dhe ekspertët amerikan madje dhe diplomatë kërkojnë të merren masa ndaj Serbisë, ajo nuk është në gjendje të merr nga Kosova, ato që ka projektuar.

Presidenca Biden, vazhdon të jetë e qartë, krejtësisht eksplicite, se bisedimet duhet të përfundojnë me një marrëveshje përfundimtare, me njohje të ndërsjellët, dhe se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm!

Në këtë rast, politikanë dhe gazetarë, që deri dje e mbanin gojën përplot amerikanizëm, janë shfaqur qartësisht si antiamerikan. Dhe derisa janë antiamerikan, dhe nuk e thonë në qëndrimet e tyre se ‘shkëmbimi bëhet metër për metër’, ata janë qartësisht në vijën e tradhtisë, të cilën nuk do të mund ta realizojnë për shkak të kundërshtimit tonë të fuqishëm.

Cili është motivi?

Duket se motivet nuk kanë ndryshuar aspak, sa i përket përpjekjes, ‘shkëmbimit të territoreve’!

Këtë përpjekje e kemi sqaruar me kohë, në fillim të saj. Hashim Thaçi ishte i motivuar nga ideja apo edhe informacione, që mund të kishte se me shkëmbimin e territoreve duke “i dhënë Serbisë diçka”, ajo do të mund të hiqte dorë nga përndjekja e Thaçit në Gjykatën speciale, dhe se për viktimat shqiptare, mund të kishte besuar se zgjidhjet ekzistonin.

Por, plani këtu nuk përfundonte. Nëse do të ndodhte ‘shkëmbimi i territoreve’ nën përkrahjen e Edi Ramës, dhe potencialit ekzistues, idesë së bashkimit kombëtar, Shqipëria dhe Kosova do të mund të bëheshin një shtet.

Nga ai moment Kosova më nuk do të ekzistonte si subjekt ndërkombëtar, si shtet, kështu, që gjykata speciale, duke qenë e themeluar nga shteti i Kosovës, do të shuhej me automatizëm. Duke e shuar gjykatën speciale, Thaçi dhe e gjithë struktura e prekur nga hetimet dhe gjykimet e mundshme do të shpëtonin, duke u liruar.

Kështu, që pavarësisht që Hashim Thaçi është në Hagë, ai dhe të tjerët atje, por veçmas këta që janë në Kosovë dhe mund të hetohen nga specialja, duan apo shpresojnë të shuhet gjykata.

Në këtë kontekst, edhe pse ata e konsiderojnë vetën, dhe madje një pjesë e opinionit si heronj të mëdhenj, ata rezulton se kanë hequr dorë nga patriotizmi, pra pranojnë humbjen e territorit për ta shpëtuar veten nga dënimi i mundshëm!

Heroizmi dhe atdhedashuria, as nuk e pranojnë dhe as nuk e motivojnë një sjellje të këtillë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat