Kurti: Motra dhe vëllezër, patëm rritjen më të madhe ekonomike në historinë e shtetit

Aktuale

Kurti: Motra dhe vëllezër, patëm rritjen më të madhe ekonomike në historinë e shtetit

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 16:19
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në përurimin e fabrikës së letrës ‘’Royal Paper Cups’’, në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës.

Ai tha se po shënojmë edhe fillimin e një ndërmarrje të re prodhuese, një investimi të ri. “Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim”, u shpreh kryeministri para të pranishmëve në këtë ceremoni.

Duke kujtuar kohën e pandemisë me COVID-19 dhe sfidat e përballjes me të, ai riktheu në kujtesë edhe udhëzimet e profesionistëve që përpos mbajtjes së distancës, higjienës, dhe maskave, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat një përdorimshe të letrës.

Kurti megjithë krizën që ka kapluar vendin, tha se Kosova pati rritje ekonomike nën Qeverinë e tij.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar zotëri Abdyl Zhdrella dhe zotëri Fadil Halili,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Me kënaqësi e kam marrë ftesën që të jem sot me juve këtu. Agjenda ime ditore rëndom është e ngarkuar me takime të shumta e që zakonisht zhvillohen brendave mureve të një institucioni a të një organizate. Sot përveçse nuk jemi në zyrë, po shënojmë edhe fillimin e një ndërmarrje të re prodhuese, një investimi të ri. Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim.

 Origjina e themelimit të Royal Paper Cups është shembulli më tipik i shpirtit ndërmarrës, i shpirtit që sheh mundësi në vështirësi. Më kanë njoftuar se idea kishte lindur gjatë kohës së pandemisë. Besoj ju kujtohet ajo periudhë kur përpos udhëzimeve për distancë, higjienë,  e maska, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të plastikës, e të porcelanit, të kemi gota njëpërdorimshe të letrës. E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen.

Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë sonë; varësinë nga importi dhe mungesën e prodhimtarisë vendore. Por sikurse ndërmarrësit që shohin shancin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza, si ajo e pandemisë, të shohin mundësi për reforma. Andaj që atëherë fokusi ynë si qeveri ka qenë dhe është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore.

Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, krahas qytetarëve kemi mbështetur edhe bizneset. Deri më tani kemi subvencionuar kredi investive për 357 biznese prodhuese, me qëllim të zgjerimit të kapaciteteve të tyre prodhuese. 

Kemi mbështetur 43 biznese që janë në pronësi të grave, duke mbuluar 20 për qind të kryegjësë së kredisë për rritje të kapaciteteve.

 107 biznese kanë përfituar nga mbështetja për likuiditet përmes subvencionimit të 10 për qind të kryegjësë së kredive.

Nëpërmjet masës 2.4 të pakos sonë kemi mbështetur 75 biznese prodhuese dhe eksportuese në rritjen e cilësisë, ngritjen e rritjen e stafit menaxherial, përfaqësim në panaire jashtë vendit dhe brendim e marketing të produkteve.

 Mbështetja e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm për të mundësuar garantimin e 120 milionë euro kredi shtesë për biznese në përballje me efektet e pandemisë.

Ndërkohë, që për bizneset po vazhdojmë të subvencionojmë energjinë elektrike.

Mbi të gjitha me një qeverisje të mirë, të drejtë e zhvillimore, po ofrojmë një klimë të përshtatshme të të bërit biznes. Vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10. 7 për qind të bruto produktit vendor e në tre mujorin e parë të këtij viti 4.9 për qind të bruto produktit vendor, pasi që të zbritet inflacioni. E kjo është më shumë se në çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë dhe në rajon. Banka Botërore parashikon që Republika e Kosovës do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2022-2024. Vitin e kaluar eksportet kanë qenë 83.6 për qind më të larta se krahasuar me vitin paraprak e sivjet janë edhe 29.5 për qind më të larta sesa me vitin 2021. Këtë vit për herë të për vlera e eksportit pritet ta kalojë shifrën prej 1 miliard euro. Të hyrat buxhetore janë për 1/3 më të larta sesa vitin e kaluar, ndërkaq investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind.

Të gjitha këto janë dëshmi se Royal Paper Cups po e fillon rrugëtimin e saj në një kohë të mundësive. Andaj, ju përgëzoj dhe ju uroj shumë suksese në të ardhmen.

Urimet për juve le të jenë ftesë e thirrje që edhe të tjerët të investojnë në prodhimtari, që të mbulohet tregu vendor, të shtohet eksporti, të zgjerohet kompania, e të rritet punësimi.

Gëzuar e ju faleminderit!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat