​Nis fushata “Festo me zemër, jo me armë”

Aktuale

​Nis fushata “Festo me zemër, jo me armë”

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Për çdo vit Policia e Kosovës konfiskon rreth 1500 armë pa leje të llojeve të ndryshme. Kështu u tha në hapjen e fushatës, "Festo me zemër, jo me armë", të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP.

"Një person lëndohet nga plumbi qorr në oborrin e tij në Deçan", " U plagos nga një plumb qorr në natën e ndërrimit të viteve, vdes Shpresa Kastrati", janë vetëm disa nga njoftimet që janë prezantuar në ekspozitën e sotme. 

Fushata e cila nisi sot synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për Kosovën. 

"Në aspektin e parandalimit, përveç MPB-së edhe akterët tjerë duhet të luajnë rolin në aspektin e vetëdijesimit për pasojat që vijnë nga mbajtja e armëve pa leje. Të gjithë jemi dëshmitarë që në mbarë botën krimi është duke u organizuar jashtëzakonisht shpejt. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1500 armë të llojeve të ndryshme. Si rezultat i angazhimit, ne kemi avancuar suksesshëm në konfiskimin e armëve. Gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1280 armë, në vitin 2020 1130 armë", ka thënë ai. 

Niels Knudsen nga UNDP tha se pothuajse çdo ditë po shënohen incidente që vijnë nga përdorimi i armëve. 

"Qarkullimi i këtyre armëve janë ato që shkaktojnë dhunën dhe pabarazinë. Për shkak se siguria ka një ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm. Armët pa leje paraqesin një rrezik për familjen dhe popullatën. Veprat penale bëhen përmes përdorimit të armëve. Momentin që shkrepet një armë, plumbi e ka një cak", ka thënë ai.

Kjo kampanjë do të zgjas katër muaj dhe organizohet edhe në Shkup.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat