​Sveçla për aksionin e mbrëmshëm: Lufta ndaj krimit të organizuar do të vazhdojë

Aktuale

​Sveçla për aksionin e mbrëmshëm: Lufta ndaj krimit të organizuar do të vazhdojë

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Inspektoratin Policor dhe Policinë e Kosovës për aksionin e mbrëmshëm në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, i zhvilluar në disa komuna të Republikës së Kosovës.

Sveçla ka shkruar në Facebook se lufta ndaj krimit të organizuar dhe çdo lloj krimi tjetër do të vazhdojë, pandalshëm, pa asnjë kompromis, dhe të gjithë do të trajtohen të barabartë para ligjit pavarësisht funksionit që bartin.

“Nuk mund dhe nuk do të lejojmë asesi të keqpërdoret misioni për t’u shërbyer qytetarëve. Siç edhe jemi zotuar, po punojmë në vazhdimësi për ngritje të efikasitetit por edhe të integritetit brenda secilit institucion andaj aksioni i mbrëmshëm e dëshmon vullnetin dhe gatishmërinë për të jetësuar këtë. Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë prioritet. Mbi këtë parim do të vazhdojmë të luftojmë secilën dukuri apo individ që minon sundimin e ligjit apo që cënon jetën e qytetarëve, rendin dhe sigurinë publike. Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe inkurajoj qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë në mënyrë që të sigurohemi që ligji sundon në çdo fushë dhe në secilin cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

13 personave të arrestuar nga aksioni “TOTO” në mesin e të cilëve është edhe një zyrtar policor, iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Prizren për të njëjtit do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit.

Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294, “Fajdeja” nga neni 331, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, “Sulmi” nga neni 184, “Detyrimi” nga neni 328 dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat