Abazi: Lajçak po mban peng vizat dhe njohjet, po i kushtëzon me dialogun me Serbinë

Aktuale

Abazi: Lajçak po mban peng vizat dhe njohjet, po i kushtëzon me dialogun me Serbinë

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 10:44
Haki Abazi

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka dalë i vetëm në Kuvend në konferencë për media për, siç tha, t’i ndihmuar jetës parlamentare në vend.

Ai tha se pas një javë qëndrim në Bruksel është moment kritik për Kosovën për marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Jemi në një moment kritik të alarmit  me marrëdhëniet ndërkombëtare, e patë edhe dje ne Komunitetin Politik në Pragë. Janë dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, agresioni në Ukrainë dhe çështja e gazit, që na prekin edhe neve. Ky alarm duhet të merret seriozisht nga institucionet tona”.

Abazi ka kritikuar ashpër emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për mënyrën se si po e trajton Kosovën në dialog, derisa tha se ky proces s’duhet ta pengojë Kosovën në proceset e saj integruese.

“Nga një javë qëndrimi në Bruksel, mund t’ju them se ka ardhur momenti kritik, është absolutisht kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese. Përkundër marrëveshjes Rusi-Serbi, prapë se prapë ka mirëkuptim për Serbinë nga disa qarqe të Bashkimit Europian dhe ky është problem në vete. Lajçak ka vazhduar ta mbajë agjendën tonë integruese peng të dialogut dhe në këtë kuptim Serbia ka vazhduar ta përdorë dialogun si formë të shantazhit. Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillit të Europës, pjesëmarrja në programe të NATO-s s’mund të jetë peng i dialogut dhe Lajçak mund të vendosë që ta mbajë përgjithmonë dialogun, sepse mund të ketë çështje të hapura me Serbinë pafundësisht, por ne s’mund të jemi peng i kësaj forme të tentimit për ta sjellë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Abazi.

Ai gjithashtu tha se ajo që edhe më hiç s’duhet të ndodhë është marrja peng e liberalizimit të vizave me marrëdhëniet me Serbinë.

“Ajo që nuk duhet humbur kohë është që Lajçak ka arritur që edhe liberalizimin e vizave ta bëjë pjesë të dialogut dhe ta vë në tavolinë, por edhe njohjet e reja gjithashtu. Duhet thënë qartë që ne si Kosovë s’duhet pajtuar me këtë formë të trajtimit në dialog”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat