​Opozita s’e duan Florim Isufin, Trusti ende s’ka rikuperuar mbi 160 milionë euro

Aktuale

​Opozita s’e duan Florim Isufin, Trusti ende s’ka rikuperuar mbi 160 milionë euro

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 15:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Pas kritikave të opozitës, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për propozimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Në këtë komision, janë diskutuar edhe rëniet e kthimit në investime në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Trusti nuk ka rikuperuar ende rëniet prej 161 milionë euro në periudhën janar-gusht. Drejtues të këtij institucioni, gjatë raportimit kanë thënë se ky vit është tepër sfidues për ta.

Fillimisht në mbledhjen e sotme, opozita ka kundërshtuar kandidatin Florim Isufi për kryesues të komisionit për regjistrimin e popullsisë. Profesori Isufi është ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

Deputeti nga LDK-ja Avdullah Hoti ka thënë se kryesuesi i propozuar, është person jo i duhur.

Ish-kryeministri Hoti tha se kauzat e Isufit kanë qenë politike që kanë dëmtuar këtë shoqëri dhe ka ndikuar që të shtyhet procesi i liberalizmit të vizave për 6 vjet.

Hoti: Isufi me kauzat e tij ka dëmtuar vendin dhe shtyrë liberalizimin për 6 vjet

Nuk është përfaqësuesi i qeverisë këtu prezent dhe e dyta, unë kam rezervat e mija për kryesuesin e Komisionit. Me sa po shoh, ky është i njëjti me atë tjetrin që e patën bërë një vend me telashe për punë të marrëveshjes së Demarkacionit. Dhe ky ka pozicion politik në krye të një Komisioni që është i rëndësishëm. Po ashtu një person që në të kaluarën ka ndjekur agjenda të fuqishme politike, të cilat kanë rezultuar të gabuara. Isufi ka pozicion politik brenda Zyrës së Kryeministrit dhe nuk besoj që është person i duhur për të kryesuar këtë Komision të rëndësishëm... (08;32) Është njëri ndër faktorët që e ka shtyrë për 6 vjet liberalizimin e vizave, që është kontribut edhe i këtij personi, tha Hoti.

Të njëjtat kritika dhe vërejtje sikur Hoti pati edhe nënkryetari i Komisionit nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku.

Lushtaku: Komisioni duhet të jetë kredibil

“Ne duhet të kemi një bord që është kredibil jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, sepse e dimë mirë rëndësinë e regjistrimit të popullsisë. Prandaj, nuk do të marrim pjesë në këtë proces të votimit”, tha ai.

Ndërsa, deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka kërkuar kërkuar nga qeveria që ta argumentojë këtë vendim. Lekaj pati dyshimet e tij tek kandidatja Dea Pallaska.

Lekaj: Qeveria duhet ta argumentojë këtë vendim

Sa i përket vendimit të qeverisë, është e drejtë e tyre, por është e drejtë edhe këtij Komisioni që të ftojë përfaqësuesit e qeverisë dhe ta argumentojnë këtë vendim. Atë që e tha edhe ish-kryeministri Hoti, Dea Pallaska, të cilën nuk e njoh personalisht, por që përfaqëson organizatat ndërkombëtare. Ne nuk e dimë kush është ky personalitet dhe cilën organizatë e përfaqëson”, tha Lekaj.

Deputeti nga Vetëvendosje Eman Rrahmani tha se lakimi i emrit të profesorit Florim Isufi nga deputetët e opozitës është i pa drejtë.

Rrahmani: Isufi është me integritet, ka dhënë kontribut për ruajtjen e territorit

Lakimi i emrit të profesorit Isufi është i padrejtë për shkak të kontributit të tij në ruajtjen e integritetit edhe të territorit dhe sovranitetit të Kosovës. Kjo është dëshmuar që ky profesor ka pasur të drejtë në këtë fushë. Natyrisht që cilësimet e tilla janë të papranueshme ndaj një profesionisti siç është profesor Florim Isufi. Ndërsa, për përmbajtje të tjera, në fakt nuk është edhe që i njoh shumë personalitetet, mirëpo reagimi im ka të bëjë për deklarimet për profesor Isufin. Kështu që ai është njeri me integritet, i cili ka dhënë kontribut për demarkacionin me argumente profesionale që ajo pjesë i takon Kosovës, e që fatkeqësisht ka kaluar në mënyrë që nuk kemi dashur as ne as qytetarët”, tha Rrahmani.

Në mbrojte profesorit Isufi i doli, edhe kryetari i Komisionit, Armend Muja, i cili tha se mund të jetë edhe këshilltar i kryeministrit.

Muja: Isufi mund të jetë këshilltar, por është eksperti më i mirë i fushës

“Florim Isufi është profesor doktor i fushës. Mund të jetë këshilltar politik. Është një ndër ekspretët më të mirë të fushës”, tha Muja.

Për këtë pikë, komisioni vendosi që të premten të mbahet edhe një mbledhje për të arsyetuar Zyra e Kryeministrit vendimin me emrat e kandidatëve.

Në mbledhjen e sotme gjatë shqyrtimit të raportit vjetor për vitin 2021 të Trustit, deputeti i PDK-së Ferat Shala ka kërkuar llogaridhënie nga udhëheqësia e këtij institucioni për humbjet e kursimeve në Trust.

Shala: Sa milionë euro ka humbur Trusti për shkak të krizës financiare

“Ku është fondi i Trustit në tregun e brendshëm? Ne kemi nevojë t’i shfrytëzojmë resurset duke i ngritur kapacitetet e brendshme që do të kishte më shumë siguri. Ndërsa, kur i shohim në total, kemi investuar në shumë kontinente dhe shtete 77 për qind të aksioneve. Pastaj, kisha pasur dëshirë me ditë sa kemi humbur në vitin e fundit aksione, ose sa milionë euro ka humbur fondi për shkak të krizës së investimeve jashtë vendit”, tha Shala.

Kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina, ka thënë se ka një rënie të vlerës së investimeve 5-6 për qind si rrjedhojë e krizës financiare në tregjet ndërkombëtare.

Morina: Rëniet janë 5-6 për qind, ato që janë raportuar në media

E para, nuk ka humbje. Është mirë ta sqarojmë këtë termë. Në këtë kohë është një lëvizje e vazhdueshme që ndodh në vlerën e aksioneve, ai ndryshon çdo ditë është një çmim ndryshe. Për humbje mund të flasim vetëm atëherë kur ai aksion shitet-realizohet. Për momentin kemi lëvizje të ndryshme të çmimit të njësisë. P.sh, vitin 2021 kemi pasur plus 227 milionë euro kthim pozitiv, ndërsa këtë vit mund të kemi një performancë tjetër, ta shohim se si do të mbyllet viti... Ky vit nuk është sfidues vetëm për neve, është besoj për të gjithë botën. Ne jemi duke u munduar të reagojmë drejt dhe arsyeshëm. Po, aktualisht ka një rënie të vlerës së çmimit të njësisë, janë pak e shumë ato që janë raportuar në media. Është tejet relative, ka qenë 5-6 për qind, kështu që ndryshon çdo ditë”, tha Morina.

Ndërkaq, anëtari i Bordit të Trustit, Driton Qehaja theksoi se për ta ulur rrezikun në tregjet ndërkombëtare, kanë tërhequr nga rreziku 500 milionë euro.

Qehaja: Kemi tërhequr nga rreziku 500 milionë euro

Këtë vit çka kemi bërë për me e ul rrezikun, kemi diku rreth 500 milionë euro të tërhequra, i kemi para kesh, të tërhequra nga rreziku, nga tregjet ndërkombëtare dhe presim një moment të mirë për me investu”, tha ai.

Deputeti Avdullah Hoti theksoi se është mirë që ka pasur kthim pozitiv gjatë viti 2021, por kjo sipas tij nuk e kompenson as inflacionin e sivjetshëm. Për këtë, ai kërkon më shumë politika të kujdsshme nga Trusti.

Hoti: Është mirë që ka pasur kthim pozitiv 2021, por kjo nuk e kompenson as inflacionin e sivjetshëm

“Inflacionit s’mund t’i ikim, për çdo lloj investimi i kemi pasojat e inflacioni. Është mirë që në vitin e kaluar ka pasur një kthim pozitiv prej 10.65 për qind, por gati kjo nuk kompenson as inflacionin e këtij viti. Kjo është një bazë për politika më të kujdesshme”, u shpreh Hoti.

77 përqind e fondit të kursimeve janë të investuara në tregjet ndërkombëtare, derisa drejtues të Trustit u shprehën se korniza ligjore aktuale nuk lejon që të ketë investime direkte në vend.

Pas shqyrtimit, komisioni unanimisht votoi pro Raportit Vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat