Jasharaj: Qeveria duhet t’i ndalë këto shkelje të ligjeve ekzistuese dhe goditjet ndaj sindikatave

Aktuale

Jasharaj: Qeveria duhet t’i ndalë këto shkelje të ligjeve ekzistuese dhe goditjet ndaj sindikatave

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 12:39
SBAShK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kundërshtuar vendimin e ministres, Arbërie Nagavci, për ndryshim të kalendarit shkollor, e cila ka thënë se mësimi do të mbahet të shtunën për t’i zëvendësuar orët e humbura si pasojë e grevës në shtator.

Në një konferencë për media, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se vendimi i ministres së arsimit, Arbërie Nagavci, ishte i gutshëm dhe i njëanshëm. Sipas Jasharaj, SBAShK-u do ta zbatojë kontratën kolektive, dhe nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, përveç nëse të dy palët arrijnë një marrëveshje të veçantë.

Jasharaj: SBAShK është obligative të zbatojë kontratën kolektive dhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë, ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci, e cila nuk e respektoi kontratën kolektive të arsimit që është nënshkruar nga MAShTI dhe SBAShK-u. Neni 34, pika 8 e thotë qartazi se orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. Ministrja Nagavci në vend të konsultimeve me SBAShK-un, ka sjell vendim të njëanshëm, prandaj SBAShK-u është obligative të zbatoj kontratën kolektive dhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim, në emër të kompensimit të orëve të humbura në grevë. Presim gjatë javëve të ardhshme të na ftojë në takim. Nëse javën e ardhshme nuk do të ketë takime, prapë SBAShK-u do ta respektojë kontratën”, tha ai.

Jasharaj tha se me rastin e pezullimit të grevës kanë pritur që Qeveria dhe ministrja e arsimit të dërgojnë mesazhe urimi e mirëkuptimi, por sipas tij, ata vazhduan angazhimet për ta goditur SBAShK-un.

Ai tha se qeveria po zbulon çështje të tjera me qëllim që anëtarësia të hezitojë t’i zbatojë ato, porse sipas tij anëtarësia e SBAShK-ut ka plotësuar të gjithë dokumentacionin që e ka kërkuar ministria, po ashtu ai tha se SBAShK-u vazhdon të regjistrohet në platformën e E-Kosova dhe është duke mbledhur kuotën nëpër institucionet arsimore të tjera të cilën shumë do ta deponojnë kryetarët e shoqatave në xhirollogarinë e sindikatës së shkollës.

Jasharaj tha se qeveria duhet ta ndalë shkeljen e ligjeve dhe të ulet të dialogjë me SBAShK-un.

“Qeveria duhet t’i ndalë këto shkelje të ligjeve ekzistuese dhe goditjet ndaj sindikatave sepse SBAShK-un nuk kanë arritur ta lëndojnë e përçajnë as në të kaluarën e as sot e tutje. Qeveria duhet të ulet me sindikatat dhe të punojë për të pasur dialog dhe për të arritur marrëveshjet për kërkesat legjitime të sindikatave”, tha ai.

Më tej, Jasharaj para mediave tha se mësimdhënësit do të gjejnë zgjidhje për të realizuar planprogramin mësimor, por sipas tij s’duhet të ketë presion dhe urdhëra nga qeveria.

Jasharaj: Mësimdhënësit pa presione do të gjejnë mënyra për të realizuar plan programin për vitin shkollor

“Ne nuk po urdhërojmë, ne anëtarësisë po i tregojmë që kontrata e thotë një gjë të tillë, duke pritur që javën e ardhshme të ketë takime. Besoj të gjithë mësimdhënësit, pa urdhëra, pa presione ata si në të kaluarën, si tani do të gjejnë mënyra bashkë me shkolla, bashkë me koordinatorët e cilësisë, DKA-të, që të bëjnë të pamundurën për të realizuar plan programin për vitin shkollor, por jo me presione, duke shkelur qeveria vazhdimisht kontratën dhe ligjet”, tha ai.

Jasharaj po ashtu tha se e kuptojnë edhe kërkesën e prindërve për mos zëvendësimin e orëve të humbura, pasi sipas tij prishet çdo organizim familjar, çdo planifikim që kanë bashkë me familjet e tyre.

Ai ka kërkuar nga Nagavci t’i lë inatet, t’i lë deklaratat nxitëse, dhe të ulet me SBAShK-un, për ta gjetur mënyrën më të mirë.

Ndryshe, nga 25 gushti deri më 1 tetor, mësimdhënësit ishin në grevë duke kërkuar shtesa nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua pa marrëveshje me Qeverinë. SBAShK-u po refuzon që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat