Kush është prokurori Rasim Maloku, që po merret me rastin Brezovica? Dy herë u kërcënua me vrasje

Aktuale

Kush është prokurori Rasim Maloku, që po merret me rastin Brezovica? Dy herë u kërcënua me vrasje

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 11:22
Rasim Maloku

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, është shndërruar në figurë kyçe të drejtësisë kosovare. Konferencat për shtyp të Malokut ndiqen me interesim të madh nga mediet, qytetarët, e mbase edhe nga vetë ata që kanë rënë ndesh me ligjin.

Krejt kjo pas hetimit, arrestimeve e sekuestrimeve masive në rastin Brezovica, që po vlerësohet si njëri nga më të mëdhenjtë në historinë e pasluftës.

Maloku po e udhëheq hetimin e rastit “Brezovica”, i cili është ndër rastet më të mëdha të ndërmarra nga një prokuror i Kosovës.

Mbi 30 persona të arrestuar, të sekuestruara miliona euro, mbi 100 vila, vetura etj. Vetë prokurori Maloku ka bërë të ditur se vilat e sekuestrua së fundmi janë në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve.

Serioziteti i këtij rasti si dhe insistimi i deritashëm i prokurorit për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje kanë bërë që Maloku tashmë të krahasohet me prokurorin e famshëm italian, Giovanni Falcone.

Falcone është njëri ndër prokurorët më të famshëm në botë, i cili përdoret si shembull për luftën kundër krimit, bazuar në karrierën e tij të bujshme në një luftë të pakompromis me mafien.

U vlerësua si njëri nga aksionet më të mëdha kundër krimit e korrupsionit në Kosovën e pasluftës. Pas dhjetëra personave të arrestuar, miliona eurove të ngrira, janë sekuestruar mbi 100 vila.

Mbi 100 ndërtime, kryesisht vila, janë sekuestruar gjatë kësaj jave në Brezovicë, pasi prokurori Maloku po pretendon se këto ndërtime janë bërë në kundërshtim me ligjin. Ky aksion është në vazhdën e disa aksioneve të tjera për ndërtimet në Brezovicë, që ka nisur qysh vitin e kaluar.

Këtu dyshohet se janë përfshirë kryetari i Komunës së Shtërpcës, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, inspektorë, një asamblist i partisë në pushtet e shumë figura të tjera të fuqishme. Disa prej tyre janë ekspozuar e të tjerë pritet të dalin në sy të publikut deri në fund të kësaj çështjeje.

Ishte pikërisht Rasim Maloku që në rastin e Brezovicës lëshoi urdhër-arrest edhe për politikanin serb me të kaluar të dyshimtë, Milan Radojiçiq. Maloku kishte iniciuar procedurë edhe për ikjen e Radojiçiqit në pikën kufitare të Bërnjakut, pasi serbi ishte arratisur nga Policia e Kosovës.

Prokurori Maloku ishte kërcënuar me vrasje pak vjet më parë, pikërisht për shkak të veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror.

Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte njëri ndër “peshqit e mëdhenj”, që ra në llupën e prokurorit Rasim Maloku. Zharku ishte akuzuar nga Maloku për veprat “korrupsion” e “shpërdorim i detyrës zyrtare”.

Ai u arrestua në dhjetor të vitit 2019 dhe gjykimi i tij vazhdon ende në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ishte pikërisht ky rast që dyshohet se çoi deri te kërcënimi i prokurorit. Dikush i dërgoi mesazh në telefon, duke i thënë se do të likuidoheshin fizikisht ai dhe familja e tij, nëse do të vazhdonte që ta hetonte Zharkun.

Për këtë kërcënim kishte reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dalë në mbrojtje Malokut dhe duke bërë të ditur se puna e tij nuk do të ndalet.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është njoftuar se prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij. Sipas Prokurorisë, këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror”, thuhej në reagim.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e njofton opinionin se kërcënimet ndaj prokurorit Maloku janë duke u trajtuar seriozisht nga organet kompetente dhe me nivelin e duhur të urgjencës, në mënyrë që kërcënuesit të dalin sa më parë para drejtësisë”, thuhej më tej në reagimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Ky aksion i madh, por edhe puna në të kaluarën e prokurorit të Ferizajt, nuk kanë kaluar pa rënë në sytë edhe të njohësve të drejtësisë.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili është njëri ndër përcjellësit kryesorë të drejtësisë në Kosovë, bile jo rrallëherë kritik, sidomos për punën e prokurorive e prokurorëve, kësaj here nuk ka hezituar ta krahasojë Malokun me prokurorin e famshëm italian, Giovanni Falcone.

Miftaraj ka shkruar se nëse rasti “Brezovica” përfundon me sukses, prokurori Maloku mund të krahasohet si Falcone i Kosovës, ndonëse e thekson faktin se rasti është ende në një fazë të hershme.

“Nese rasti "Brezovica" perfundon me sukses, prokurori Rasim Maloku mund te konsiderohet Giovanni Falcone i Kosoves. Rasti eshte ne nje faze shume te hershme te procedures penale, ku ende nuk ka aktakuze, andaj edhe nuk mund te paragjykohet fajesia e asnjerit person subjekt i ketyre hetimeve. Sidoqofte, veprimet e deritanishme te prokurorit ne raport me numrin e personave te arrestuar, pronat dhjetera miliona Euro te sekuestruara, kete rast e bejne nje nder rastet me komplekse dhe me më interes te veçante per sundimin e ligjit ne Kosove”, ka shkruar Miftaraj.

Ende nuk dihet nëse gjatë aksionit “Brezovica” do të dalin në pah edhe figura të tjera me ndikim në Kosovë, si keqpërdorues e shfrytëzues të Parkut “Sharri” dhe nëse ky rast do të rezultojë me të burgosur e me konfiskim të atyre që tashmë janë të sekuestruara përkohësisht.

Sidoqoftë, ajo që dihet është se drejtësia në Kosovë tash e sa kohë po lëngon për prokurorë të guximshëm, që është edhe kritika kryesore e raporteve ndërkombëtare për organin e akuzës në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat