Edhe 45 persona paraqiten si viktima të UÇK-së kundër krerëve në Speciale, refuzohen gjashtë

Aktuale

Edhe 45 persona paraqiten si viktima të UÇK-së kundër krerëve në Speciale, refuzohen gjashtë

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 18:02
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi/ Foto ilustrim "Bota sot"

Edhe 45 persona janë paraqitur në Gjykatën Speciale duke pretenduar të jenë viktima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të njëjtit kanë dorëzuar aplikacionet e tyre përmes emailit dhe Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në dokument shihet se Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ka rekomanduar që 39 aplikacione të këtyre personave të pranohen, teksa për gjashtë nga to është rekomanduar refuzimi.

“VPO vlerëson se gjashtë (6) aplikantë – Viktima-155/06, Viktima-222/06, Vitima 223/06, Viktima-150/06, Viktima-224/06, dhe Viktim-190/06 – nuk kanë demonstruar mjaftueshëm në një bazë prima facie se ngjarjet e përshkruara në kërkesat e tyre nga të cilat ata pretendojnë se kanë pësuar dëm bien brenda fushës materiale, kohore dhe gjeografike të akuzave, siç përshkruhet në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar. Rrjedhimisht, VPO i rekomandon gjyqtarit të procedurës paraprake që t’i refuzojë këta aplikantë të marrin pjesë si viktima në procedurë”, thuhet në dokumentin e lëshuar nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave.

E këta persona që po pretendojnë të jenë viktima direkte dhe indirekte të UÇK-së, të përkatësisë shqiptare dhe serbe, kanë kërkuar disa masa mbrojtëse si në vijim:

Tetë nga ta kanë kërkuar moszbulim për publik;

16 kanë kërkuar moszbulim për publikun dhe të akuzuarit;

Një person ka kërkuar moszbulim për të akuzuarit

15 kanë kërkuar moszbulim për publikun, të akuzuarit dhe mbrojtësit;

Dy aplikantë kanë këruar moszbulim për publikun, prokurorinë, të akuzuarit dhe avokatët;

Teksa tre aplikantë nuk kanë kërkuar ndonjë masë.

Ndryshe, ky është raporti i tetë i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Media kishte raportuar se si në raportin e shtatë, 46 persona që pretenduan të jenë viktima të UÇK-së, ishin rekomanduar të refuzohen nga Zyra që merret me aplikacionet e tyre.

Më 5 nëntor të këtij viti ndërkaq bëhen tre vite prej që krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë, prej kur ishin arrestuar nën akuzat për krime lufte.

Përveç tyre, për krime lufte janë duke u zhvilluar edhe dy procedura tjera, kundër Salih Mustafës e Pjetër Shalës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat