Borrell i dorëzon Kosovës dhe Serbisë një propozim për dalje nga kriza

Aktuale

Borrell i dorëzon Kosovës dhe Serbisë një propozim për dalje nga kriza

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 07:43 Përditësuar në ora: 10:02 më 14.11.2022
Josep Borrell

Borrell i dorëzon Kosovës dhe Serbisë një propozim për dalje nga kriza

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, [të cilin] duhet ta shqyrtojnë [palët]", tha Borrell para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Bruksel.

Ai nuk dha detaje se çfarë përmban propozimi e as kur është dorëzuar.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të larta, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina, rreth 9.000 sosh, qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, ndërsa Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë sot edhe për ndikimin që ka pushtimi rus i Ukrainës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për procesin e zgjerimit të BE-së.

Diskutimi vjen në prag të një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.

Nga BE-ja u paralajmërua se do të diskutohet edhe për krizën energjetike në Ballkanin Perëndimor, si dhe për asistencën që blloku është duke ua ofruar vendeve të këtij rajoni në këtë aspekt.

Sa u përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ministrat pritet t’i përsërisin thirrjet për angazhimin konstruktiv të palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të ulen tensionet.

Po ashtu, pritet të kërkojnë përparim në procesin e dialogut, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për këtë qëllim qysh në vitin 2011. Dy vendet kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.

Të premten e kaluar, Borrell takoi ndarazi në Paris kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtyre takimeve, ai u bëri thirrje serbëve të veriut që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të vazhdojnë t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre.

Ai kërkoi nga dy palët që të gjejnë zgjidhje urgjente për krizën aktuale, ndërsa nga Kosova kërkoi edhe nisjen e bisedimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Këto obligime, që dalin nga procesi i dialogut, mbeten të vlefshme dhe obliguese”, tha Borrell.

Në BE, disa diplomatë pranojnë se nuk janë të kënaqur me ecurinë e deritashme të dialogut dhe përgjegjësinë për ngecje dhe rritje të tensioneve ua bartin Beogradit dhe Prishtinës.

Pritjet kanë qenë që pas takimit të fundit midis Kurtit dhe Vuçiqit, që është zhvilluar më 18 gusht në Bruksel, të ketë më shpesh takime të tilla - së paku një herë në muaj. Por, nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Komuniteti ndërkombëtar, gjithashtu, i ka intensifikuar thirrjet për Kosovën që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, kërkon që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive./REL

​Borrell: Kemi bërë një propozim për të zgjidhur situatën në veri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se kanë bërë një propozim për të zgjidhur situatën në veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.

Borrell para Këshillit të Ministrave të BE-së tha se propozimi i Bahskimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.

“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t'iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve së kaluara për të cilën janë rënë dakord shumë vite më parë dhe unë jam duke kërkuar për një zgjidhje”, tha ai.

Punimet e Këshillit të Ministrave do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës. 

​Borrell raporton para Këshillit të Ministrave për situatën në veri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të raportojë sot (e hënë) para Këshillit të Ministrave të BE-së për situatën në veri të vendit. Punimet e Këshillit do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.

Përpos që do të japë analizën e tij për situatën e re të krijuar në veri të Kosovës, Borrell do të raportojë para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe për takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Paris.

Pas takimeve që pati me liderët e të dy vendeve, Borrell deklaroi se palët duhet të angazhohen dhe në mënyrë konstruktive të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë angazhimet e tyre në dialog.

“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës dhe për t'u angazhuar në negociata kuptimplotë për atë çështje që ka vërtet rëndësi për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – e cila është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy palëve si një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane. Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t'i harmonizojë veprimet e saj, në lidhje me targat, me marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të nis negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pa vonesa të mëtejshme. Këto obligime, të ndërmarra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Borrell nënvizoi rëndësinë e të përmbajturit nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse.

“Me luftën që po ndodh në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon. Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë, do të kenë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, tha Borrell.

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke. Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat