Haki Abazi: Nuk ndryshon Kosova me Mimoza Kusarin e Armend Mujën

Aktuale

Haki Abazi: Nuk ndryshon Kosova me Mimoza Kusarin e Armend Mujën

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 22:56
Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka shprehur hapur pakënaqësinë me shefen e Grupit Parlamentar të partisë ku bën pjesë edhe ai, Mimoza Kusari-Lila.

Abazi ka vlerësuar se Kusari-Lila është një figurë e ricikluar politike.

“Ky vend nuk ndryshon duke i ricikluar njerëzit e njëjtë. Nuk ndryshon me Mimoza Kusarin. Ndaç merre personale, ndaç merre çfarëdo”, ka thënë Abazi.

Abazi pa ia përmendur emrin, ka folur edhe për deputetin tjetër të VV-së, Armend Muja, duke aluduar se ai nuk përfaqëson frymën e VV-së.

“Nëse flasim për transformim të mendësisë qeverisëse, për korrektim të problemeve të krijuara nga e kaluara, nuk mundesh as me këtë që është kryese e detyrës kundër statutit të Lëvizjes, e as me atë tjetrin që ka qenë në Agjencionin e Akredimit të Institucioneve të Larta Arsimore”, ka thënë ai.

Abazi ka theksuar se vlerë e VV-së është pasioni i aktivistëve.

Ai ka thënë se pa Mimoza Kusari-Lilën, do të gjendjen zgjidhja edhe për Kodin Civil, një projektligj që ka hasur në kundërshtim te deputetët konservatorë të partisë.

“Vlera e VV-së është te pasioni i aktivistëve, që veten e kanë parë në dritëhijen e ndryshimeve të thella. Këtu është pakënaqësia edhe te unë, edhe te Visar Korenica.  Edhe për Kodin Civil, po të bëhej debati jashtë kornizimit të Mimoza Kusarit, do të gjendej zgjidhja e problemit. Unë jam pro Kodit Civil, Visar Korenica është kundër Kodit Civil, por të dy jemi për Kosovën me prosperitet”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat