Statistikat e tmerrshme - Për dhjetë muaj 18 vrasje në Kosovë

Aktuale

Statistikat e tmerrshme - Për dhjetë muaj 18 vrasje në Kosovë

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 16:03
Ilustrim

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë është duke krijuar një ambient të pasigurt për qytetarët e saj. Vetëm në periudhën janar – tetor të vitit 2022 janë raportuar 18 raste vrasje dhe vrasje e rëndë, të cilat kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një përgjigje nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës.

Rasti i parë i vrasjes gjatë këtij viti ka ndodhur qysh në fillim të janarit, ku një grua 48 vjeçare u vra nga burri i saj në Llaushë të Skenderajt, Skender Qerimi, të cilit Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me dënim unik prej 24 vitesh burg dhe 500 euro gjobë.

Ndërkaq, një tjetër vrasje e rëndë kishte ndodhur mëngjesin e së martës, më datë 02.03.2022, ku 14 vjeçari Riad Hyseni u ther për vdekje rrugës për në shkollë, nga një 15-vjeçar tjetër në Prishtinë.

Ndërsa, rasti i fundit i vrasjes së rëndë u shënua mëngjesin e së premtes, ku një 63 vjeçare në Prishtinë, arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet, Prishtinë u qëllua për vdekje me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Më poshtë mund të lexoni për rastet e vrasjeve në Kosovë gjatë 2022-së:

51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se më datë 05.01.2022 me dashje ka vrarë me gjashtë plumba bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Një tjetër vrasje, kishte tronditur fshatin Dumnicë nga Komuna e Podujevës. I riu me inicialet M.K 30-vjeçar nga fshati Dumnicë i Podujevës kishte mbetur i vdekur (12.01.2022) pas plagëve të marra, pasi ishte qëlluar nga një pushkë gjuetie.

Ndërsa, mbrëmjen e së premtes të datës 18.02.2022 në fshatin Zllatar të Prishtinës, një polic kishte mbetur i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri aksidentalisht nga kolegu i tij, në një ndejë private, ku kishin marrë pjesë 15 zyrtarë policorë.

E, mëngjesin e së martës të datës 02.03.2022, 14 vjeçari Riad Hyseni u ther për vdekje rrugës për në shkollë, nga një 15-vjeçar tjetër në Prishtinë.

Më datë 28.04.2022 nga të shtënat me armë zjarri në Klinë kishte mbetur i vrarë një person dhe dy të tjerë të plagosur, teksa lidhur me ngjarjen u arrestuan pesë persona.

Një 26-vjeçar, më datë 02.05.2022 kishte vdekur pas plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Greikoc të Suharekës.

Një tjetër person vdiq më datë 07.05.2022 pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga një zyrtar policor në fshatin Gushtericë e Poshtme të Graçanicës.

Po ashtu edhe një 30 vjeçar kishte mbetur i vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga të shtënat me armë zjarri që kishin ndodhur të martën (10.05.2022) rreth orës 14:00 në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.

Gjithashtu një tjetër ngjarje tragjike pati ndodhur më 27.05.2022, ku në orët e hershme të mëngjesit në një familje në veri të Mitrovicës kishin mbetur të vdekur dy persona (babë e bir).

Ndërkaq, një tjetër vrasje e rëndë kishte ndodhur më datë 28.05.2022, ku në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, një person la të vdekur një 30 vjeçar pasi shtiu me armë zjarri. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës e cila kishte bërë të ditur se policë civil pasi kanë vërejtur të dyshuarin i kanë kërkuar që të ndalet, por pasi i njëjti nuk i është bindur urdhrave dhe me pistoletë në dorë i është kthyer zyrtarëve policor, njëri nga zyrtarët ka shkrepur në drejtim të të dyshuarit.

Ndërsa në fshatin Peran të Podujevës, një person kishte mbetur i vdekur më 12.06.2022 pasi ishte qëlluar me armë zjarri.

Një vrasje e rëndë (23.07.2022) kishte tronditur fshatin Baks të Skenderajt. Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vdekur një person kurse dy të tjerë ishin plagosur.

E një tjetër vrasje kishte ndodhur më datë 05.08.2022, mbrëmjen e së premtes rreth orës 23:40 në Lipjan, ku mbeti i vdekur një person dhe dy të tjerë u plagosën.

E në muajin shtator, saktësisht më 25.09.2022 një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, në Kolovicë të Prishtinës.

Ndërkaq, rasti i fundit ndodhi të premten në orët e hershme të mëngjesit ku qytetarët e Prishtinës u zgjuan me lajmin tragjik për vrasjen e një 63 vjeçareje në Prishtinë, arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në kryeqytet.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952) për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Prokuroria njofton se rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat