Mbledhja Shqipëri-Kosovë sjell Bashën në Kuvend pas disa kohësh mungesë
Mbledhja e parë e përbashkët Shqipëri-Kosovë ka sjellë ditën e sotme në Kuvend edhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ish-kreu i të djathtëve shihet i ulur bashkë me ligjvënës të tjerë të Partisë Demokratike ndërsa në Parlament sapo ka nisur seanca e përbashkët në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Kujtojmë se Basha ka munguar kryesisht në seancat plenare që prej daljes së informacioneve se PD kur drejtohej nga ai ka marrë financime nga Rusia.
Ish-kryedemokrati ka qenë prezent për herë të fundit në Parlament një mesnatë për të votuar.
Konjufca: 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive
Sot për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e përbashkët, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
E në këtë seancë, fjalimin e tij e mbajti kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të ëndrrat tona kolektive.
“28 nëntori i mbanë në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara”
Ai u shpreh se sa më afër që janë Kosova dhe Shqipëria, aq më lehtë do të jetë, siç u shpreh ai, për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë.
“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjeprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t’i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm në rrethanat e reja të shekullit 21”, u shpreh ai.
Nikolla në mbledhjen e dy kuvendeve: Dikur edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment
Kryetaraja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, se kjo është një ditë e bukur dhe e paharrueshme.
“Sot kjo orë e shënuar rikonfirmon thirrjen shpirtërore “një komb, një qëndrim”, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë, në vigjilje të 28 nëntorit”, tha Nikolla.
“Dikur, edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment, nga pengesat e panumërta të historisë, që ekzistencën, territorin, gjuhën dhe identitetin na e vinin në diskutim”.
“Teksa ecën nëpër stinë e mote, shqiptarët e gjetën shekullin e tyre. Asnjëherë nuk i ikën nderit e privilegjit që iu dha emri shqiptar. U bë Shqipëri dhe Kosova, u bënë shqiptarët këndej e andej kufirit qytetarë të denjë të civilizim. Pa dallim feje, krahine dhe ideje, iu falën flamuri kombëtar”.
Nikolla tha se Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike e të respektuara, me miq aleat të mëdhenj, SHBA-në dhe BE-në, me aspirata për në Bruksel.
Kuvendi i përbashkët Shqipëri-Kosovë, Kuvendi anashkalon PD-në e Berishës, i jep fjalën vetëm Alibeajt
Në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë është duke zhvilluar një mbledhje të përbashkët me atë të Kosovës.
Në hyrje të kuvendit janë vënë ngjarje historike që sollën pavarësinë e kombit shqiptar ndërkohë që deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë u shpjegohen përciptazi ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar.
Mbledhja e deputetëve të të dy shteteve ka nisur në orën 10:00 dhe do të ketë fjalimi nga deputetët dhe kryeministrat përkatës.
E para që ka folur ka qenë kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërkohë që ajo është ndjekur nga fjala e Glauk Konjufcës.
Nga ana tjetër, pas tyre do të flasin kryeministri Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurtin.
Mes folësve janë ministrave dhe krerë grupet parlamentare nga të dyja shtetet, por vihet re që kuvendi ka shpërfillur grupin e Berishës në PD dhe ka vënë Alibeajn si folës.
Nis mbledhja e përbashkët e Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, deputetët të gjithë në këmbë për të nderuar himnet kombëtare
Ka nisur në ambientet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbledhja mes parlamentarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ligjvënësit e të dy vendeve e ngritën në këmbë për të nderuar himnet kombëtare të dy vendeve përpara se të niste seanca e jashtëzakonshme plenare.
Fjala hapëse do të mbahet nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, e shoqëruar më pas nga homologu i saj në Kosovë, Glauk Konjufca.
Sipas axhendës së publikuar, mbledhja do të vijojë me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurtit.
Fjalim përshëndetës do të mbahet gjithashtu dhe nga krerët e grupeve parlamentare të parlamenteve të dy vendeve. Seanca është planifikuar të jetë rreth dy orë dhe do të nis në orën 10:00.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbërrijnë tek Kuvendi i Shqipërisë
Deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë mbërritur para Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët.
Fillimsht, deputetët kanë shikuar ekspozitat e vendosura përreth tepihut të kuq dhe më pas kanë hyrë brenda.
Glauk Konjufca pritet nga homologia Lindita Nikolla në Shqipëri
Sot për herë të parë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Mbledhja pritet të fillojë nga ora 10:00, në Tiranë.
Atje tashmë ka arritur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili është pritur nga homologia e tij Lindita Nikolla
Pamje nga organizimi i mbledhjes mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë
Mbledhja mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të fillojë së shpejti.
Kjo po bëhet me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Seanca solemne do të mbahet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa para hyrjes është përgatitur edhe një ekspozitë me fotografi për nder të përvjetorit të shtetësisë.