Gruaja shtatzënë e cila dyshohet se është vrarë nga burri i saj këtë të mërkurë, në oborrin e QKUK-së, mësohet të ketë banuar në Komunën e Shtimes.
Ajo kishte lajmëruar rastin e divorcit të saj në qendrën për punë sociale në këtë komunë.
Për këtë çështje, kryetari i Shtimes, Qemal Aliu, ka thënë se sot nuk ka kontaktuar as me komandantin e policisë e as me drejtorin e qendrës për punë sociale.
Arsyeja për moskontaktimin e tyre, sipas Aliut, është se “përmes telefonit, nuk mund të flitet për tema kaq të ndjeshme”.
Aliu, gjithashtu, tha se lajmin për vrasjen e 35-vjeçares e ka marrë nga mediat.
“Unë gjithçka që kam lexuar deri tash është nga media, dhe nuk kam arritur që të kontaktoj ende komandantin e policisë ose drejtorin e qendrës për punë sociale. Nuk e kam kontaktuar ende drejtorin e qendrës për punë sociale sepse nuk preferohet që përmes telefonit të flitet për tema kaq të ndjeshme”, ka thënë ai.
Ndryshe, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, në lidhje me këtë çështje, ka thënë se viktima ka qenë banore e rrethit të Shtimes, dhe se në atë komunë e ndjera e kishte lajmëruar rastin që 4 muaj.