“Kurti terrorist, i ndytë” - Sulmi farfuritës i Vuçiqit, i pandëshkuar!

Aktuale

“Kurti terrorist, i ndytë” - Sulmi farfuritës i Vuçiqit, i pandëshkuar!

Nga: Idriz Morina Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 17:05
Foto ilustrim Albin Kurti e Vuçiqi, bashkëpunëtori i Milosheviçit e Putinit

Një sulm me tipare çmendurie, dhe që të kujton retorikën e Millosheviçit, ishte ai që e bëri dje presidenti i Serbisë, ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit.

Ai tashmë ka rrëshqitur në një diplomat të çmendur, e tillë çfarë në të vërtetë është politika serbe, tashmë gati dy shekuj, duke i bartur po këto politika njerëz të sëmurë psikik.

Nuk ishte Millosheviçi vetëm, ishte para tij, Rankoviçi, Mihalljoviçi e përplot të tjerë. Por, as Millosheviçi në pushtetin e tij nuk ishte vetëm, e kishte Karagjiqin, Mlladiçin, Sheshelin e me radhë, përfshirë Vuçiqin e Daçiqin.

Prandaj, as Vuçiqi dhe as Daçiqi nuk mund të dalin përtej këtij identiteti.

“I zgjodhën dy mbeturinat më të këqija serbe, Rashiçin dhe Trajkoviçin, nga fundi, s’ka më të këqij, e që se kanë besimin e askujt në Serbi, por e kanë besimin e Albin Kurtit dhe të agjenturave perëndimore”, ka thënë Vuçiqi dje.

Ndërsa, vetëm të premten pasdite, i pyetur nga gazetarët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se prej nga të gjitha palët sjellje europiane, duke refuzuar ta komentojë ligjërimin fyes e mashtrues të Vuçiqit.

Po, pse e bëri këtë sulm?

Vuçiqi, nuk i beson fare ato që tha dje. Por, ai e bëri, i udhëzuar nga propaganda dhe diplomacie serbe, për të zhvendosur vëmendjen, që padashtas ia dha shansin Albin Kurti, duke e emëruar ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiçin.

Po dje u bë publik emërimi i Aleksandër Vulinit, shef i shërbimit inteligjent të Serbisë, i njohur me shkurtesën e re BIA, trashëgimtare e UDB-së.

Aleksandër Vulini shihet si njëri nga zyrtarët e lartë të shtetit serb, nga më të besueshmit e Rusisë dhe vetë Putinit.

I takuar më shumë se çdo zyrtarë serbë në Kremlin me Putinin dhe kabinetin e tij, ai ka kërkuar që të pushtohet Kosova deri në Ibër, vetëm disa javë më parë.

Pra, Vuçiqit i duhej një ‘zhurmë’ për të penguar reagimin e mundshëm nga Perëndimi, Kosova, Shqipëria, e ngado që mund të bëhej ai.

Donte ta tërhiqte vëmendjen me çdo kusht, që ai të mos mbahet përgjegjës, për emërimin, edhe të një bashkëpunëtori të Millosheviçit dhe Putinit, në krye të shërbimit të sigurisë së Serbisë.

Po ashtu, ky emërim nuk mund të shihet jashtë qëllimit serb, që ta ndajë Kosovën, ta shkëpusë veriun e vendit.

Këtë e tha shkoqur sot, duke paralajmëruar që serbët ta bllokojnë veriun, shkuarjen në veri të institucioneve të Kosovës, sigurisht duke pasur vëmendjen tek ndalimi i policisë.

Pra, në vend që Vuçiqi të akuzohet për ngritjen e një sistemi shtetëror kriminal, sipas modelit të Milosheviçit, ai po kalon në kundërsulm nëpërmjet gënjeshtrës, mashtrimit, propagandës, dhe po mundohet t’ia paraqesë serbët e Kosovës, si viktima të shqiptarëve, ndonëse, janë zgjedhur në poste, serbët më normal që janë të pranishëm në politikë.

Çmenduri pas çmendurie

Edhe aleati i tij, dhe pjesë të qeverisë së gjenocideve të Millosheviçit, Ivica Daçiq, e ka shprehur të njëjtin mendim për Kurtin, duke theksuar se ai është një terrorist, por për shkak të kaluarës së tij, si pjesë e zyrës për informim të UÇK-së në Prishtinë.

“Ai është terrorist...”, deklaroi Daçiq.

Po mbrëmë, Vuçiqi e kishte bërë edhe një deklaratë të çmendur, duke i fyer të gjithë ata diplomatë nga BE-ja dhe nga Ballkani perëndimor, që kinse e akuzojnë Serbinë.

“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor, ndërsa ju shkoni, merrni mëditje, udhëtoni si të keni qejf, të gjithë ju nga Evropa, të gjithë ju nga Ballkani Perëndimor, dhe pastaj “lëshoni bajga (dëngla)” se si Serbia është fajtore për diçka”, ka thënë ai.

Por, një ditë më pas, ka bërë sikur i është thyer mendja, duke e aktruar rolin e një politikani të ‘dëgjueshëm’ për Perëndimin, për dallim, të një dite më parë, tërë agresivitetit, po ndaj BE-së e SHBA-së, pa e përmendur tekstualisht këtë të fundit.

Çmenduri pas çmendurie dhe pa asnjë sanksionim. Përkundrazi, një i marrë që mezi po presin ta takojnë diplomatë perëndimorë të BE-së.

“Atij bërllokut terrorist një porosi – kujdesu që të mos lëndosh asnjë serb, bashkë me këta kuislingët që zgjodhe. Pasi që serbët do të dinë të të përgjigjen. E ju nga Evropa, turp të keni, e kjo është asgjë në krahasim me atë që dua t’ua them”, ka thënë Vuçiqi.

Është i habitshëm reagimi i tij edhe për një fakt. Ishte Vuçiqi, ai që e kishte akuzuar Albin Kurtin, kur dy vjet më parë kishte ndodhur një rrahje në Çagllavicë, ku viktimë ishte djali i Nenad Rashiçit.

“Krerët e politikës shqiptare përfshirë edhe Albin Kurtin kanë participuar në atë ngjarje”, kishte thënë Vuçiqi.

Atëherë Vuçiqi nuk e quante ndyrësirë, dhe as agjent të Perëndimit, Rashiçin.

Sidoqoftë, nuk është për t’i zënë besë, as këtyre deklarimeve të fundit, sepse sërish Serbia, mund t’i përdorë serbët në Kosovës si agjent me detyra speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat