Vrasja e Hamide Magashit, çfarë po ndodh me 4 zyrtarët policorë të suspenduar

Aktuale

Vrasja e Hamide Magashit, çfarë po ndodh me 4 zyrtarët policorë të suspenduar

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 12:01
Hamide Magashi

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur shqyrtimin e rastit të suspendimit të katër zyrtarëve policorë në Lipjan. Suspendimi i Komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve u bë pas vrasjes së gruas shtatzënë Hamide Magashi.

Zyrtarët policorë, sipas IPK-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, që ka të bëjë me zbatimin e urdhrit-mbrojtës për Hamide Magashin, e vrarë nga ish-burri i saj Sokol Halili – i cili refuzoi dorëzimin në polici duke vrarë edhe veten.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se në këtë rast prokuroria do të veprojë konform dispozitave ligjore.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria është në fazë të shqyrtimit të kësaj çështjeje dhe do të veprojë tutje konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, tha Ulaj.

Gjatë ditës së hënë, i kontaktuar nga media prokurori në rastin e vrasjes së gruas 35-vjeçare, Ilaz Beqiri, duke mos dhënë detaje tha se prokuroria ndërmerr veprime kudo që ka dyshime për vepër penale.

“Nëse ka vepër penale, prokuroria ndërmerr veprime kudo që ka dyshime për vepër penale”, tha shkurtë Beqiri.

Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje nëse për këtë çështje po hetohen edhe zyrtarë tjerë policorë.

Megjithatë, të shtunën IPK njoftoi se kishte bërë hetim mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Sokol Halili.

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “. Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë  të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues). Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, kishte njoftuar IPK.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është zotuar se s’do të lërë gurë pa lëvizur për zbardhjen e vrasjes së 35-vjeçares Hamide Magashi.

Disa orë pas vrasjes së shtatzënës, Policia e Kosovës kishte arritur ta lokalizojë vendndodhjen e Sokol Halilit. Por, i njëjti s’ka pranuar të dorëzohet dhe ka vrarë veten, në shtëpinë e tij në Shtime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat