VOA/ Përgatitjet për zgjedhjet lokale - incidente në veriun e Kosovës

Aktuale

VOA/ Përgatitjet për zgjedhjet lokale - incidente në veriun e Kosovës

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për disa incidente por pa dëme në njerëz.

Incidentet në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së në procesin e hapjes së komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave që janë caktuar për datën 18 dhjetor.

Në një njoftim të policisë thuhet se “në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “zyrtarët Komunal të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar”.

Ministri Sveçla tha se sulme të tilla me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha gjatë një konference për gazetarë në Tiranë ku mori pjesë në takimin e nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se “bandat kriminale të përkrahura financiarisht nga (Aleksandër) Vuçiçi kanë për qëllim eskalimin e situatës dhe destabilizimin e Kosovës”.

Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tanë pavarësisht etnisë. Është shumë me rëndësi që siguria e qytetarëve të jetë mbi të gjitha në mënyrë që në çdo proces zgjedhor ata të mbrohen dhe të mos kërcënohen nga këto banda kriminale dhe tash po e presim deri në fund të kësaj dite raportin përfundimtar jo vetëm të asaj çfarë ka ngjarë por mbi të gjitha për veprimet që do të ndërmerren tash e tutje për të eliminuar situata të tilla”, tha ajo.

Zyrtarë të Serbisë akuzuan autoritetet në Prishtinë për siç thanë vazhdimin e terrorit ndaj serbëve. Shefi i zyrës serbe në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se “forcat e posaçme të policisë së Kosovë kanë hyrë në mjediset e Komisioneve Komunale të Zgjedhje në Mitrovicë dhe shkatërruan gjithçka, e shkatërruan, e shpërndanë, duke tentuar të vendosin komisionet e tyre zgjedhore”.

Mbajtja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës është vënë në pikëpyetje për shkak të tensioneve në zonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës, pas largimit të serbëve në veri nga të gjitha institucionet vendase mes mospajtimeve rreth konvertimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha të martën në mbrëmje pas një mbledhjeje të këtij komisioni se mbajtja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës po vështirësohet.

Me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë është fjala, nuk mundemi të rrezikojmë askënd. Mbetet që në ditët në vijim të komunikojmë me policinë nëse do të kemi ndonjë raport do ta dërgojmë në presidencë, pra për punë tona ne jemi të gatshëm të përfundojmë punët tona aq sa mundemi aq sa kemi mundësi. Atë që kemi parë sot është shumë e qartë se qasja jonë në veri është e limituar”, tha zoti Radoniqi.

Komisioni Qendror të Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit, por procesi është bojkotuar Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat