Miratohet teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, Besnik Bislimi jep detaje

Aktuale

Miratohet teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, Besnik Bislimi jep detaje

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 16:26
Besnik Bislimi

Është miratuar nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, ka bërë të ditur zëvëndëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se ishin disa faktorë drejt avancimit të procesit të liberalizimit të vizave e këtu, ai ka përmendur edhe Qeverinë Kurti.

“Sot është miratuar nga ambasadorët e BE-së teksti mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Një hap tutje, tejet i rëndësishëm, që do të pasohet me aprovimin formal të rregullores mbi heqjen e vizave nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së. Tashmë jemi drejt përfundimit të suksesshëm të këtij procesi të tejzgjatur për qytetarët e Republikës së Kosovës. Sukseset e arritura nga Qeveria veçanërisht në sundim të ligjit, puna jonë e vazhdueshme me shtetet anëtare dhe mbështetja e partnerëve tanë strategjikë, ishin faktorë kryesorë në avancimin e këtij procesi që ishte bllokuar për vite me rradhë. Me finalizimin e liberalizimit të vizave, Kosova do të jetë një hap më afër BE-së e proceseve të integrimit evropian”, ka deklaruar Bislimi.

Ambasadorët e Bashkimit Evropian, kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kështu është bërë e ditur nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Ambasadorët e BE-së miratuan një tekst kompromisi për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar. Presidenca çeke e çon Kosovën një hap më tej në rrugëtimin e saj evropian”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, të mërkurën e 14 dhjetorit.

“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, raporton REL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat