Ramadani: Radojiçiqi e të tjerët janë të rrezikshëm përderisa kanë përkrahjen e Vuçiqit

Aktuale

Ramadani: Radojiçiqi e të tjerët janë të rrezikshëm përderisa kanë përkrahjen e Vuçiqit

Më: 23 janar 2023 Në ora: 22:10
Burim Ramadani

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani ka thënë se nuk duhet të ketë vakuum të sigurisë në komunat veriore.

Ramadani ka thënë se megjithatë ka tendencë në rritje për thellimin e këtij vakuumi në atë pjesë.

“Forma më e mirë sipas meje është të gjendet një rrugëdalje e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi politik është thellimi i vakuumit dhe normalisht që institucionet e Kosovës duhet të jenë vazhdimisht të kujdesshme që mos ta lejojnë Serbinë të arrijnë qëllimin e vet”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka thënë se synimi i Serbisë është të mos arrijë marrëveshje me Kosovën.

“Ajo do të tentojë të përdorë serbët lokalë që të pengojë një proces marrëveshje dhe të vendos në sytë e partnerëve që është Kosova ajo që po provokon”, ka shtuar ai.

I pyetur për rrezikun që kanoset nga Milan Radojiçiq apo Zvonko Veselinoviq, Ramadani ka thënë se përderisa ata kanë përkrahjen e Vuçiqit do të ketë rrezik nga ta.

“Radojiçiqi e të tjerët janë jashtëzakonisht të rrezikshëm përderisa kanë përkrahjen e Vuçiqit, qeverisë dhe të tjerave institucione në Serbi. Po flasim për mbështetje serioze dhe të vazhdueshme të Serbisë për ta mbajtur gjendjen e tensionuar në veri. Kemi parë edhe forma të tjera të organizimit të cilat tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me institucionin e sigurisë atje”, ka shtuar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat