Serwer: Asociacioni s’ishte në draftin e parë të planit franko-gjerman, Beogradi e kërkon për të ushtruar kontroll

Aktuale

Serwer: Asociacioni s’ishte në draftin e parë të planit franko-gjerman, Beogradi e kërkon për të ushtruar kontroll

Më: 27 janar 2023 Në ora: 10:40
Profesori amerikan, Daniel Serwer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon Asociacionin e Komunave [me shumicë] Serbe si parakusht për një marrëveshje me Serbinë, shkroi e përditshmja vieneze “Der Standard”.

Ky Asociacion nuk ishte në draftin e parë të planit evropian për normalizim të marrëdhënieve, rikujtohet në analizën e gazetës austriake.

Asociaconi, sipas “Der Standard”, nuk ka qenë në draftin e parë të propozimit, por është shtuar vetëm kohëve të fundit, dhe atë, siç thuhet në tekst, përmes një koncesioni që QUINT-i i ka bërë qeverisë serbe.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, thotë se këtë Asociacion Beogradi e kërkon “për të ushtruar kontroll”.

Serwer ka një kritikë të qartë sa i përket Asociacionit në raport me këtë plan evropian. Sipas tij, ky propozim nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës si bazë.

Gjithashtu, thotë ai, propozimi franko-gjerman nuk parasheh Asociacion të Komunave shqiptare brenda Serbisë, përkatësisht për Luginën e Preshevës.

Problem tjetër brenda këtij plani është se pesë vende të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Serwer nuk sheh as mundësi që përmes këtij plani Kosovës t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndryshe nga zgjidhja gjermano-gjermane e vitit 1972.

Presionin ndaj Kosovës, Serwer e sheh të lehtë, në kuptimin se është një shtet që s’ka zgjidhje tjetër përpos të ndjek rrugën evropiane dhe asaj të NATO-s.

“Presioni ndaj Serbisë është pak e më pak. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka luajtur suksesshëm duke balancuar me Kinën dhe Rusinë dhe BE-në e ShBA-në. Kjo lojë do të duhej të kishte marrë fund”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat