Infermierja që e goditi të moshuarën gjendet në Kosovë – Prokuroria afër përfundimit të ngritjes së aktakuzës për të

Aktuale

Infermierja që e goditi të moshuarën gjendet në Kosovë – Prokuroria afër përfundimit të ngritjes së aktakuzës për të

Më: 27 janar 2023 Në ora: 15:48
Aurona Pelaj dhe e moshuara

Prokuroria Themelore në Pejë është në përfundim të ngritjes së aktakuzës ndaj Aurona Pelajt, të dyshuarës për rastin në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.

Lajmin për median e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Prokuroria Themelore në Pejë është në përfundim të ngritjes së aktakuzës ndaj të dyshuarve për rastin në fjalë”, është shprehur zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Gjatë ditës së sotme u raportua se infermierja Aurona Pelaj, njëra nga të dyshuarat për rastin e sulmit ndaj të moshuarës në “Orenda”, ka ikur në Gjermani. Pelaj, bashkë me dy punonjëset tjera të “Orendës” të dyshuara në po të njëjtin rast, janë lënë në mbrojtje në liri nga Gjykata Supreme në fund të nëntorit të muajit të kaluar.

Ndërkaq, media ka pyetur në Prokurorinë Themelore në Pejë nëse në vendimin e Gjykatës Supreme për të dyshuarat ka pasur ndonjë masë që pengon të njëjtat arratisjen nga vendi.

Nikçi tha se në momentin që Gjykata Supreme ka marrë vendim që të njëjtat të mbrohen në liri, e ka hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore që atyre t’iu vazhdohet masa e paraburgimit dhe në të njëjtën kohë i ka hedhur poshtë edhe mundësitë që të dyshuarat të arratisen nga shteti.

Klan Kosova ndërkaq ka mësuar nga burime të veta brenda familjes së Pelajt se e dyshuara gjendet në Kosovë./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat