Kurti: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare

Aktuale

Kurti: Jemi paralajmëruar për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes ndërkombëtare

Më: 27 janar 2023 Në ora: 19:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova nuk do të tregohet konstruktive në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai, megjithatë, shprehu bindjen se Kosova është duke u dëshmuar si palë konstruktive në këtë proces.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.

Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat