Përkundër rritjes, mjekët e zhgënjyer me koeficientin, Sejdiu: 80 përqind janë të pakënaqur

Aktuale

Përkundër rritjes, mjekët e zhgënjyer me koeficientin, Sejdiu: 80 përqind janë të pakënaqur

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Me koeficientin e ri për paga, paga bruto e një mjeku specialist do të jetë 1260 euro. Ndërkaq paga e mjekut të përgjithshëm do të jetë 777 euro. Përkundër kësaj rritje, mjekët janë shprehur të zhgënjyer me vlerën e koeficientit.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu ka thënë, se në këtë zhgënjim ka ndikuar pritshmëria e lartë që ata kanë pasur, duke shpresuar që koeficienti të mos jetë nën 120 euro.

“Pritshmëria për çmim të koeficientit ka qenë më e madhe, prandaj dhe është dëshpërimi. Është shumë e vërtetë që mjekët janë ata që kanë përfituar më së shumti nga rritja, por në këtë pakënaqësi ka ndikuar pritshmëria e madhe, që ka qenë gjatë kësaj kohe për një çmim të koeficientit më të lartë se ky që është caktuar nga Qeveria”, tha Sejdiu

E pas publikimit të vlerës së koeficientit, Oda e Mjekëve ka bërë një sondazh me mjekët, nga i cili ka rezultuar se shumica nga ta janë të pakënaqur me vlerën e koeficientit prej 105 euro.

Sejdiu thotë se mbi 80 për qind e mjekëve pjesëmarrës në sondazh, janë shprehur të pakënaqur.

Sipas tij  nga 1415 mjek të cilët kanë qenë pjesë e sondazhit i cili ka zgjatur për tri orë, 55 për qind e tyre kanë deklaruar se nuk janë aspak të kënaqur. 31 për qind janë deklaruar pjesërisht të kënaqur dhe vetëm 12 për qind, janë shprehur të kënaqur me vlerën e koeficientit.

“Rezultate që i kemi marrë kanë qenë që mbi 55 për qind të tyre tregojnë se nuk janë aspak të kënaqur me këtë vlerë të koeficientit. 31 përqind janë pjesërisht të kënaqur dhe vetëm 12 për qind janë të kënaqur me këtë koeficient. Në këto rezultate kanë ndikuar dy çështje, një ka qenë pritshmëria për së paku 120 të jetë çmimi i koeficientit. Në këtë rezultate ka ndikuar shumë edhe klasifikimi në grupin e specialistëve, mjekëve specialistë dhe farmacistëve edhe të psikologëve klinikë të cilët ata vërtetë nuk janë mjek dhe s’kanë të drejtë për diagnostikim dhe përshkrim të barnave . Janë terapeist nuk janë mjek.  Kjo është parë se aty,  është bërë një lojë politike”, tha sejdiu.

Ndërsa thotë se ende nuk dihet për hapat që do t’i ndërmarrin dhe se kjo do të bëhet e ditur pas konsultimit me anëtarësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat