Krasniqi: Asociacioni, pjesë e marrëveshjes së përgjithshme

Aktuale

Krasniqi: Asociacioni, pjesë e marrëveshjes së përgjithshme

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 00:08
Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i mbetet qëndrimit që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pasur gjithmonë një qëndrim konsistent për sa i përket çështjes së dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kuadër edhe për Asociacionin që parashihet të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme. Pra, që në fillim duhet thënë që besojmë se Asociacioni duhet të jetë, nëse ndodh, si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, e cila duhet të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar Krasniqi.

Si jo rrallëherë, i njëjti ka kritikuar edhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti për mungesë të koordinimit me SHBA-të.

Se a duhet që Asociacioni të jetë në harmonizim të nevojshëm me Kushtetutën e Kosovës, Krasniqi ka thënë se ai ka qenë gjithmonë qëndrimi i tyre dhe se Kosova duhet të ruajë rolin konstruktiv të saj në raport me SHBA-të.

“Ai ka qenë qëndrimi ynë gjithmonë. Në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe para së gjithash, Shteteve të Bashkuara, unë besoj që Kosova gjithmonë ka pasur një rol konstruktiv dhe këtë rol duhet ta ruajë. Nuk ka asnjë sukses në historinë tonë të re pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj sot rreziku më i madh që ne e shohim është kjo rezistencë, jo ndaj Asociacionit, por ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë thirrja dhe kërkesa jonë gjatë gjithë kohës, në këto dy vite të qeverisë së kryeministrit Kurti, që veprimet që lidhen me çështje të rëndësishme jetike për Kosovën dhe popullin e vet, duhet t’i koordinojë para së gjithash me SHBA-në”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat