Kurti flet për zv.ministrin që i doli audio-incizimi

Aktuale

Kurti flet për zv.ministrin që i doli audio-incizimi

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 12:58
Almir Veliji dhe Albin Kurti

Rreth tri javë më parë, është publikuar një audio-incizim i Insajderit, ku dëgjohet duke folur për grante zëvendësministri për Zhvillim Rajonal, Almir Veliji, ndaj të cilit Prokuroria ka nisur hetime. Kryeministri Kurti është përgjigjur për herë të parë sot rreth këtij zv.ministri, pasi u pyet nga deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Kurti ka thënë se nuk e di se Veliji ka marrë ryshfet, por thotë se ai ka bërë konstatim se nuk mund të merren grantet, pa dhënë “diçka”.

“Për këto raste, duhet që organet e rendit ta kryejnë punën e tyre, meqenëse e kanë filluar këtë. Nuk jam në dijeni se zv.ministri ka marrë mito. Përveç konstatimit se komisioni i atyre granteve, nuk japin grante, pa marrë diçka”, tha Kryeministri në Kuvend.

Tutje, ai tha se nuk e di kohën kur e ka bërë atë bisedë zv.ministri i tij, por thotë se nëse ka folur para Qeverisë Kurti, atëherë konstatimi i tij vlen.

“Nuk e di kohën kur është bërë ajo bisedë, por nëse ka ndodhur më herët, para qeverisë sonë, edhe mund të qëndrojë si konstatim, sepse kemi parë dhjetëra arrestime që ndërlidhën me korrupsion, në shpërndarjen e granteve në qeveritë e kaluara. Pra, ka qenë e vërtetë që në të kaluarën ka qenë e vështirë të fitohet ndonjë grant a subvencion, pa dhënë ryshfet. Por, nëse deklarata është bërë tani, prapë ftojë organet e rendit, që të ndërmarrin të gjitha hapat për të vënë para drejtësisë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare”, tha Kurti.

“… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht mundet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”, ishte dëgjuar të ketë thënë zv.ministri Veliji gjatë një bisede telefonike me një person tjera, teksa flisnin për një grant.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat