Foli për propozimin franko-gjerman, krejt çka tha Kurti dje në seancë

Aktuale

Foli për propozimin franko-gjerman, krejt çka tha Kurti dje në seancë

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 08:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka dhënë detaje për propozimin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve, të cilin ai, gjatë kësaj jave ka thënë se në parim, Kosova tashmë e ka pranuar.

Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman, tashmë i njohur si plani i BE-së nuk është marrëveshje finale, por marrëveshje bazë, të cilën Kosova e konsideron si bazë të mirë për bisedime të mëtutjeshme.

“Me datën 18 gusht 2022 ka ndodhur një takim i rëndësishëm në Bruksel. Zakonisht në takimet e së kaluarës ka pasur polemika të ashpra, por jo agjendë të strukturuar. Atëherë filloi dialog për marrëveshje. Me atë rast unë menjëherë jam përgatitur duke ofruar një faqe me 6 kapituj lidhur me atë se çka duhet të përmbajë korniza e përgjithshme për marrëveshje. Tri javë më pas Lajçak vjen me dy emisarët nga Parisi e Berlini, të cilët kanë paraqitur një propozim do të thosha, jo një plan për një marrëveshje e cila nuk është marrëveshje finale, është bazike por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje e cila ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive është marrëveshje bazë, jo marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme çka na duhet neve. Por duhet ta kuptojmë se nuk ka pasur mundësi të vijnë nga Parisi, Berlini e Brukseli dhe të na sjellin marrëveshje finale, sepse kjo do diskutim të gjatë. Ata nuk na kanë sjellur një propozim merre ose lëre. E dyta është që Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë, po ashtu Serbia. Sot kemi mosnjohje reciproke, ajo çka na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë”.

Sipas kryeministrit Kurti, deri më sot Kosova nuk ka pasur një propozim në të cilin janë konceptet evropiane e demokratike me vlera universale, siç është plani i BE-së.

“Marrëveshja e bën njohjen në ndarje de facto dhe de jure. Aty paragrafet që merren nga modeli i dy Gjermanive janë paragrafë që pikërisht i referohen njohjes de facto. Preambula e ka edhe trashëgiminë e së kaluarës. Nuk janë as dy faqe taman, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtë. Në në këtë kuptim njëmend jemi në fillim të fillimit. Në preambulë ka referencë për pakicat kombëtare, mirëpo çka do të bëhet me këtë togfjalësh varet nga zhvillimet politike dhe procesi negociator më tutje. E kam cekur se ky propozim paraqet platformë solide për të ecur përpara. Nuk e kam refuzuar por kam thënë se diskutime të mëtutjeshme mund të bëjmë. Deri më sot Kosova nuk ka pasur një propozim në të cilat janë konceptet evropiane e demokratike me vlera universale. Qasja në të kaluarën ka qenë zgjidhje problemesh pa koncepte dhe kategori universale. Qysh në fillim i keni: pavarësia, demokracia, sovraniteti, të drejtat e njeriut. Të gjitha këto janë vlera universale”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për kapitullin e fundit që flet për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme. Ai thotë se në Beograd po bëhet luftë politike që njëra pikë të vendoset para të tjerave që Asociacioni të jetë parakusht e në qendër.

Ai ka shtuar se propozimi i BE-së është shumë i favorshëm për Kosovën sepse Asociacionin nuk e ka parakusht, e as në qendër.

“Në kapitullin pesë ka qenë konsiderimi i marrëveshjeve të mëhershme. Fjalia e fundit në nenin 10 të propozimit u referohet të gjitha marrëveshjeve në Bruksel. Por beteja politike është që prej 33 marrëveshjeve Beogradi dëshiron ta përcjellë vetëm njërën që e ka më të dashur. Për ne ato nuk kanë hierarki vlerore e logjike, kanë rend kronologjik. Nuk mund ta vendosësh njërën para tjetrës. Po zhvillohet një betejë e madhe politike e diplomatike. Neni 10 që i referohet marrëveshjeve të mëhershme po tentohet të nxirret në preambulë. Në propozimin e BE-së është e fundi në nenin 10. Beogradi po kërkon që Asociacioni të jetë parakusht, ose në qendër, por për neve nuk është i pranueshëm as si parakusht as si qendër. Propozimi i BE-së është shumë i favorshëm për ne sepse Asociacionin nuk e ka parakusht as në qendër”, ka thënë Kurti.

Ai është shprehur i gatshëm që për këtë marrëveshje të raportojë në Kuvend, por ka kërkuar nga opozita të thërrasë një të tillë.

“Është e mundur që edhe unë ta kërkoj një seancë për të raportuar, por po ju tregoj pse nuk e kam bërë deri më sot. Për besë është shumë çështje serioze, më lini të flasë. Është e mundshme të bëhet diskutim në Kuvend enkas për këtë gjë, por është më mirë që atë seancë të mos e thërrasë kryeministri, sepse mezi nuk presin të na akuzojnë që ne i nxorëm hollësitë. Nëse unë thërras seancë ku i shpalos detajet e marrëveshjes, është shumë rrezik për Kosovën”, ka thënë Kurti.

Menjëherë pas fjalimit të Kurtit, ishte kreu i LDK-së, ai që kërkoi seancë urgjente me dyer të mbyllura për dialogun.

Përkundër kësaj, në Kuvend nuk ka kaluar mocioni i Lidhjes Demokratikë të Kosovës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër këtij mocioni.

Më pas ishte i pari i PDK-së, Memli Krasniqi ai i cili kërkoi seancë të veçantë për dialogun.

Kjo seancë është thirrur për të hënën më 13 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat