Pas tensioneve mes kryeministrit e opozitës së ashpër me deklarata, shtyhet seanca e Kuvendit

Aktuale

Pas tensioneve mes kryeministrit e opozitës së ashpër me deklarata, shtyhet seanca e Kuvendit

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 07:57 Përditësuar në ora: 13:43 më 13.02.2023
Kryeministri Albin Kurti në Kuvend

Abdixhiku-Kurtit: Ose zbatoje sipas vendimit të Kushtetueses ose zhbëje marrëveshjen për Asociacion

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të hënën ku po raporton kryeministri Albin Kurti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ka pasur një varg kritikash për të.

Abdixhiku e kritikoi Kurtin për mungesë transparence sa i përket dialogut, ndërsa tha se “kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, nuk ka treguar askush asnjëherë”.

Sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, lideri opozitar tha se kryeministri duhet ta ketë parasysh që para vetes ka një marrëveshje të ratifikuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës.

“Kryeministri duhet të kuptojë se para vetes e ka një marrëveshje të ratifikuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës. Populli i Kosovës përmes deputetëve me 84 vota për, që i bie 80 për qind e qytetarëve të Kosovës, e kanë marrë një vendim të tillë”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, kryeministri i ka dy mundësi; ta zhbëjë këtë marrëveshje ose ta zbatojë atë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të tjerat janë lojëra fjalësh për debate e konsume populiste”, ka përfunduar Abdixhiku.

“Merre ose leje”, Kurti: Diplomatët më thanë se ndëshkohemi nëse e refuzojmë propozimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka hapur letrat sot në Kuvend, duke treguar se në vizitën e fundit të diplomatëve europianë e amerikanë në zyrën e tij më 20 janar, ata i kanë thënë se propozimi i dytë, ai “përfundimtar”, është gati “merre ose leje”.

“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha Kurti.

Ai tregoi se diplomatët i kishin thënë se shtetet e tyre janë vënë në mbështetje të Kosovës, duke e paralajmëruar për pasojat në rast se refuzohet propozimi.

“Dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatikë për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovë tha se atyre ua ka dhënë komentet e tij për “versionin përfundimtar” në takim dhe në formë të shkruar.

Kryeministri tha se ka kërkuar më shumë garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për njohjet.

Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi më 20 janar i kishte pritur në zyrë përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë,  Giorgia Meloni, Francesco Maria Talò dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kusari-Lila: Kosovën ende është duke e përcjellur dëmi i idesë së shkëmbimit të territoreve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kosovën ende është duke e përcjellur dëmi i idesë së shkëmbimit të territoreve.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po trajtohet çështja  e dialogut Kosovë-Serbi , Kusari-Lila ka thënë ka kritikuar pushtetet e kaluara për qasjen ndaj dialogut.

“Procesi i dialogut nuk është një proces që ka shëmbëlltyre për t’u krenuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nga viti 2017, Kosova ka hyrë në fazë të vështirë të dialogut për shkak të idesë për shkëmbimin e territoreve.

“Me këtë ide që dy palët duhet të japin diçka nga viti 2017 e kemi fazën më të vështirë të dialogut, idenë e shkëmbimit territorial”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka kritikuar edhe emërimin e grupit negociator gjatë Qeverisë Haradinaj, duke thënë se ajo fazë ishte “më e keqja” për çështjen e dialogut.

Deklarohet Kurti: Ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiqit se Kosova s’pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategike përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri). E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tutje, Kurti tha se si rezultat i qasjes së tyre fillestare dhe kujdesit ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell për herë të parë në më shumë se 12 vjet dialog “pranoi ta bëjë hapin e madh atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takiminn e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore”.

Kurti tha që gjatë atij takimi ia kishte bërë të qartë Borrellit dhe Vuçiqit se Kosova s’pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje.

“Për herë të parë, u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nga jashtë, ndërkombëtarisht në formatin e dialogut në Bruksel. Takimi i datës 18 shkurtit, ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar Kosovë- Serbi të përqendruar në njohje reciproke. Në takimin e 18 shkurtit ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiqit që Kosova s’do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë”.

Memli Krasniqi ia shtron 15 pyetje Kurtit për dialogun: Përballë Serbisë, jemi bashkë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën parlamentare të ftuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ku po debatohet për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kritikoi Qeverinë Kurti për mungesë transparence në këtë proces.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status kuoje të re që e zëvendëson status kuonë aktuale? A është ky propozim vazhdimësi e Dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes potenciale? A është formati i këtij propozimi një lloj traktati që i njeh si entitete sovrane edhe Kosovën, edhe Serbinë? Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni se mund të ndryshojë teksti final prej versionit që keni deklaruar se e pranoni si bazë të mirë? A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë? A e ofron propozimi një kornizë kohore të saktë se kur ndodhë njohja e ndërsjellë? Sa ka arritur qeveria që të përfshijë komentet dhe sugjerimet e veta në versionin e fundit të tekstit? Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet përmes këtij propozimi? A keni garancione nga partnerët ndërkombëtarë se Kosova do të njihet nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, në rast se arrihet marrëveshja? Cilat do të jenë “karrotat” për Kosovën në rast të arritjes së marrëveshjes e cilët do të jenë “shkopinjtë” në rast se marrëveshja nuk arrihet? A ua keni kumtuar gjashtë kushtet tuaja për themelimin e Asociacionit partnerëve ndërkombëtarë dhe nëse ato nuk pranohen, a do të tërhiqeni prej ndonjërit nga ato kusht? Dhe, a parashihet vazhdimi i Dialogut në Bruksel edhe pas arritjes së marrëveshjes potenciale?”, janë pyetjet e Krasniqit drejtuar kryeministrit.

Krasniqi tha se do të kishte qenë e udhës që Qeveria ta ftonte opozitën në Kuvend për të raportuar në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut.

“Madje, do të ishte e udhës që në rast nevoje, edhe të na kërkonte ndihmë e bashkëpunim, me aq sa kemi potencial e mundësi për ta ndihmuar. Sepse, e kam thënë edhe tjera herë e po e përsëris prapë, përballë Serbisë e aspiratave të saj, mes nesh nuk ka dallime. Përballë Serbisë, jemi bashkë. Por, ja që u desh që ne si opozitë ta ftojmë qeverinë në këtë debat, për shkak se teknikisht po shohim që ka pasur lëvizje në dialog, megjithatë, edhe ne, ashtu si edhe qytetarët, jemi të painformuar rreth këtyre lëvizjeve dhe veçmas pasojave që ato mund të prodhojnë për shtetin dhe shoqërinë tonë”, shtoi ai.

Krasniqi tha se qëndrimet e PDK-së në raport me temën e dialogut janë të njohura dhe konsistente dhe kjo senacë ka karakter të kërkesës për informim legjitim, me atë se çfarë po ndodhë aktualisht në dialog dhe se cili është pozicioni i qeverisë përballë zhvillimeve të fundit.

“Nuk jemi këtu as për të dhënë qëndrimet tona për çështje specifike, sepse ne zyrtarisht nuk e dimë se cila është përmbajtja dhe aranzhmanet që ofrohen me të ashtuquajturin Propozimin Franko-Gjerman apo Evropian. Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, qëndrimet i kemi të njohura e konsistente, historikisht korrekte, kombëtarisht të drejta, dhe institucionalisht të qëndrueshme, e në funksion të të vetmes mënyrë se si mund të garantohet paqja, integrimet dhe e ardhmja. Ne e vlerësojmë angazhimin e koordinuar të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës në proces dhe kemi inkurajuar Qeverinë që të punojë me ta në kuadër të iniciativës së fundit, duke u angazhuar në Dialog për të arritur qëllimet tona të përbashkëta shtetërore, që ne konsiderojmë se duhet të jenë shtyllat qendrore të marrëveshjes eventuale e që janë: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit tonë, sipas rregullimit aktual kushtetues; Njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; Nisja e procesit të anëtarësimit në NATO, përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; Marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE; si dhe Njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së ritheksoi se përkundër faktit që Kurti si kryeministër ka dështuar në çdo fushë në rrafshin e brendshëm, në raport me Serbinë, spektri politik i Kosovës duhet të jetë unanim.

Përkundër që sipas rregullave parlamentare PDK si propozuese e debatit kërkohet të prezantojë një Draft-Rezolutë në fillim të debatit, Krasniqi tha se PDK ka vendosur që mos t’i propozoj seancës një tekst të gatshëm, por që Kryetarët e Grupeve Parlamentare të dakordojnë një tekst të Rezolutës që do të mund të reflektonte qëndrimin dhe qëllimet e Kuvendit të Kosovës në raport me procesin e Dialogut në përgjithësi dhe me propozimin evropian në veçanti.

Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare, ku do të ketë debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Seanca nis në orën 12:00.

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 2 shkurt, ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive e të zbatohet pas marrëveshjes finale.

“E para: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. 2. Asociacioni nuk mund të jetë mono etnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5”, tha Kurti.

Ai më pas kërkoi që të drejtat e pakicave të bëhen në parimin e reciprocitetit, duke nënkuptuar këtu që çfarëdo e drejte e serbëve në Kosovë të jetë edhe për shqiptarët në Serbi.

“3. Të drejtat e pakicave kombëtare, dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, tha Kurti duke numëruar kushtin e tretë.

Po ashtu, si kusht përmendi shuarjen e strukturave ilegale në veri dhe Serbia të pranojë kartën e OKB për raportet ndërshtetërore si dhe të mos pengojë aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“4. Paravendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale. 5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi ti ketë pranuar parimet e kartës së OKB në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës dhe 6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara të pesë shtete anëtare të BE dhe tek të tjerat për mos pranimin e aplikimin të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019”, tha Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat