Rrëfimi i deputetit shqiptar në parlamentin e Suedisë që e shpëtoi foshnjën në Mal të Zi

Aktuale

Rrëfimi i deputetit shqiptar në parlamentin e Suedisë që e shpëtoi foshnjën në Mal të Zi

Më: 21 mars 2023 Në ora: 17:05
Adnan Dibrani me foshnjën në duar

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani, është shndërruar në hero në 24 orët e fundit. Kjo pasi dje ka shpëtuar një foshnjë dy muajsh në Mal të Zi.

Derisa ndodhej mbi urën e lumit Moraça në Podgoricë, ai poshtë urës kishte vërejtur një ndodhi të çuditshme. Pa menduar shumë, ai bashkë me kolegët e tij kishte vrapuar drejt gruas dhe foshnjës që ishin mbytur në lum.

Në një bisedë Dibrani ka rrëfyer momentin e nxjerrjes nga uji dhe rikthimit të jetës të foshnjës dy muajshe.

Dibrani ka treguar në detaje se si ia kishe dhënë ndihem e parë foshnjës dhe e kishte dorëzuar në ambulancë.

Ai në Mal të Zi ndodhej për të monitoruar zgjedhjet presidenciale që ishin mbajtur të dielën.

“Në Mal të Zi unë kam qenë për me i mbikëqyr zgjedhjet për president, që janë mbajtur të dielën. Të hënën vendosem që unë dhe dy të tjerë të dalim me ec nëpër Podgoricë para se me mbajt një konferencë para mediave. Kur arritën të lumi nuk e dinim qysh thirret, u munduam sa më shpejt me e gjet ne Google Earth, kur e pamë se një grua ish kanë poshtë, me kry të poshtë në ujë. Ne filluam me mëndu se çka është tu bo, se e shishim se është duke livrit ka pak. Erdhën do djem që punojshin në komunë diçka. Iu thash që ta thirrnin një ambulantë ose policinë”, ka deklaruar Dibrani, duke treguar momentin që i bëri të veprojnë.

“Në atë moment, ajo gruaja lëshoi diçka. Nga lartë u doke si me kanë kukull, por nuk u dike se a është përnime. Aty u bë një guzhmë e madhe me njerëz, duke u mundu me këqyr se çka po bëhet dhe në fund ne vendosëm me nga poshtë me pa çka po ndodh. Kur mbërritjen poshtë, lumi beben dhe atë gruan i shtyu ma ngat toke”, ka rrëfyer ai.

Deputeti shqiptar në parlamentin suedez ka treguar se ai ia ka ofruar menjëherë ndihem e parë.

“Ata dy e ngrihen beben naltë dhe e mbajshin në shpinë. Në shpinë beba nuk mbahet. Në atë moment vetëm ua ka marr prej dore dhe ia kam nis me ia dhanë ndihem e parë që me e ringjall. Pas një kohore, beba dha një shenjë se është gjallë dhe e bani një zo si bebat. Në atë moment të rrok pak edhe adrenalina, se e pashë që do me u ringjall. Në atë moment vetëm jam mundu me i fol sa më shumë dhe me u ngjit përpjet që me e gjet sa më shpejt një ambulancë”, është shprehur i emocionuar Dibrani.

Sipas tij, dy koleget e tij ishin të tronditur nga rasti.

“Kur e kom marrë beben prej tyre, ata veç e kanë qitë në shpinë dhe ja nisen me u lutë. Mirë është njeri me u lutë, por lutu sa të dush kur beba është në shpinë dhe e mbushur me ujë”, ka thënë ai, duke treguar veprimin që ia ka rikthyer foshnjës frymëmarrjen.

“Unë e kam kthyer menjëherë në bark, me kok të poshtë për me ia largua ujin”, është shprehur ai.

Deputeti Dibrani ka bërë me dije se në bazë të informatave që ka beba është mirë me shëndet.

“Sipas informatave që i kam, beba është mirë dhe besojmë që ka më u bë edhe më mirë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka treguar për emocionet që ka pasur në atë moment.

“Në atë moment nuk mendo njeri kurgjo, veç sa më shpejt me i jep ndihmë. Tek kur ia kam jep beben ambulancës tek atëherë jam kthyer në realitet. Atëherë ia nisa me mëndu edhe për fëmijët e mi”, ka treguar Dibrani.

Atij nuk i ka pëlqyer epiteti prej heroit.

Dibrani ka thënë se e ka bërë një veprim që e kishin bërë edhe të tjerët.

“Unë nuk e shoh veten si hero. Më së shumi jam gezuar që është beba gjallë. Fatkeqësisht që gjyshja e saj ka vdekur aty, sepse nuk kemi mujtë me e ndihmu atë. Tani jam shumë i gëzuar që beba ka shpëtuar”, ka rrëfyer Dibrani.

Ndër të tjera, në këtë bisedë ai ka treguar edhe për falënderimet që ka marrë nga zyrtarët e lartë të shtetit malazez.

“Sot me ka thirrur Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi. Dje kam folur me një ministër dhe me kanë falënderuar të dy për veprim që e kam bërë”, ka thënë Dibrani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat