Senatorja amerikane: Marrëveshja redukton tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Senatorja amerikane: Marrëveshja redukton tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Më: 23 mars 2023 Në ora: 14:01
Jeanne Shaheen

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka deklaruar të mërkurën se nëse marrëveshja e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i shtyjë drejt njohjes së Kosovës pesë vendet e Bashkimit Evropian që s’e kanë njohur atë.

Ai ka thënë kështu duke iu përgjigjur pyetjes së senatores demokrate, Jeanne Shaheen, e cila e ka pyetur Blinkenin se a po e diskuton çështjen e njohjes së Kosovës me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur atë.

Blinken: Nëse Kosova dhe Serbia e zbatojnë marrëveshjen, do t'i shtyjë pesë vendet e BE-së drejt njohjes së Kosovës

“Është shumë një çështje që ngrihej dhe vazhdon të diskutohet. Por unë gjithashtu mendoj se kjo marrëveshje përsëri, në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende. Tani vetë Serbia, kjo mund të jetë një çështje tjetër për ca kohë, por nëse ata arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, unë mendoj se do të ketë efekte shumë pozitive vetëm në ndërveprimet e përditshme dhe mendoj se përfundimisht do të arrijë atje. Por, sa i përket pesë vendet e mbetura, fakti që të dyja vendet tani kanë arritur këtë marrëveshje dhe duke supozuar se do ta zbatojnë atë, mendoj se do t'i shtyjë ata drejt njohjes.”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, është pajtuar senatorja Jeanne Shaheen, e cila për marrëveshjen e Ohrit është shprehur se i redukton tensionet ndërmjet dy vendeve.

“Jam dakord, sigurisht që mendoj se ndihmon, dhe mendoj se është vërtet e rëndësishme që njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi të shohin ndonjë përfitim në jetën e tyre personale nga një marrëveshje e tillë që redukton tensionet. Dhe shpresojmë që të dy vendet të lëvizin drejt anëtarësimit në BE.”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat