Molliqaj para protestuesve Kurtin e quan Albin Zajednica: Marrëveshja e Ohrit një faqe e keqe

Aktuale

Molliqaj para protestuesve Kurtin e quan Albin Zajednica: Marrëveshja e Ohrit një faqe e keqe

Më: 25 mars 2023 Në ora: 15:18
Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë sot para protestuesve se emri “Zajednica” i vendosur nga Albin Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe paska qenë vetëm për t’i sulmuar kundërshtarët e tij kur ai ishte në opozitë. 

Molliqaj para protestuesve tha se duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndalur qeverinë, e cila siç tha ai “është e qartë që është dorëzuar para nevojës për të mbajtur pushtetin”.

“Marrëveshja e Ohrit paraqet një faqe të keqe të përpjekjes së tyre institucionale. Kurrgjë s’ka ndrru në Kosovë, kurrgjë s’ka ndrru në Serbi, që me ndrru qëndrimin Kosova. E vetmja gjë që ka ndrru është që kryeministri tani po e do pushtetin më shumë sesa shtetin. Për ne është e qartë se cilën Kosovë e duam. E duam Kosovën të gjithë pa dallime, e duam Kosovën e UÇK-së… po duket qartazi se kryeministri aktual nuk paska qenë i shqetësuar për dëmet e Asociacionit, por atëherë kur është dashtë ta përdor për kundërshtarët e vet politikë, e ka pagëzuar Asociacionin si Zajednicë”, tha ai.

Tutje ai u shpreh se emri Zajednica e vendosur nga Albin Kurti paska qenë vetëm me i sulmu kundërshtarët e tij kur ai ishte në opozitë.

“Unë vetë besoj që shumica e qytetarëve kemi besuar që kjo është problem. Por po na del që Zajednica si emër paska qenë më i sulmu kundërshtarët. Tani që ka vendosur me themelua Asociacionin po e quan vetë menaxhim”, u shpreh ai.

Tutje ai tha se ajo çka po i bëhet Kosovës është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë.

“Nga Kurti, Albini sot e ka mbiemrin Zajednica, është Albin Zajednica”, tha ndër të tjera Molliqaj para protestuesve.

Ndryshe, protesta e PSD-së përfundoi e qetë. Anëtarët e PSD-së vendosën flamuj të bardhë para objektit të Qeverisë së Kosovës si dhe lëshuan tym të zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat