Konfirmon BE: Ja kur do të nis puna për hapat e parë të zbatimit të Marrëveshjes

Aktuale

Konfirmon BE: Ja kur do të nis puna për hapat e parë të zbatimit të Marrëveshjes

Më: 26 mars 2023 Në ora: 11:01
Ohër, 18 mars 2023.

Kosova dhe Serbia janë të detyruara që ta zbatojnë shpejt atë për të cilën u pajtuan në takimin e nivelit të lartë në Ohër. Moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së dhe kjo do të ketë pasoja. Nga Brukseli kanë bërë të ditur se këto ditë nis puna për hapat e parë të zbatimit, që synohet të përfundojë deri në fund të vitit.

Liderët europianë u mblodhën të enjten në Bruksel dhe i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i 18 marsit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në Ohër.

Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit.

Zëdhënësi kryesor për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano tha të premtën se në ditët në vijim do të inicohet procesi për hapat e parë të zbatimit.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Europian (= Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata ta bëjnë punën e tyre’”, tha Stano.

Siç janë marrë vesh palët, dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën.

“Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht t’i zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së”, tha Stano.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së pë Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i ka informuar liderët europianë për bisedimet e Ohrit dhe ka theksuar se Kosova dhe Serbia tani duhet ta përmbushin atë për të cilën kanë rënë dakord.

Ai gjithashtu ka thënë se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë.

“Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, tha Stano.

“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu”, theksoi Stano, duke nënvizuar se “në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet ta zbatojnë atë që kanë premtuar”.

Zbatimi do të bëhet paralelisht, brenda 30 ditësh krijohet Komiteti i Përbashkët Monitorues

Kosovo dhe Serbia janë pajtuar gjithashtu për krijimin e një komiteti të përbashkët brenda 30 ditësh, i cili do ta monitorojë zbatimin e të gjitha dipozitave të marrëveshjes dhe do të udhëhiqet nga Bashkimi Europian.

“Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues”, thuhet në një prej pikave të Aneksit të Zbatimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten në Kuvend se të gjitha detyrimet nga kjo marrëveshje “tashmë janë në fuqi”, duke përmendur Komitetin e Përbashkët Monitorues.

“Ekziston edhe një mekanizëm detyrues në formën e pasojave negative për shtetin i cili nuk zbaton. Shtetet që bashkëpunojnë do të marrin një nxitje në procesin e tyre përkatës të pranimit në Bashkimin Europian dhe mbështetje financiare nga Bashkimi Europian. Mosrespektimi i detyrimeve do të sjellë të kundërtën”, ka thënë Kurti.

Duke pohuar se mes Kosovës dhe Serbisë “nuk ka shkallë të duhur të besimit” dhe se mes tyre madje “ka shkallë të lartë të mosbesimit në këto bisedime”, Kurti tha se të dyja palët duhet të shkojnë së bashku hap pas hapi drejt zbatimit.

“Nuk mund të kemi zbatime të njëanshme të marrëveshjes siç nuk mund të kemi as nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”, ka thënë ai.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak tha të martën se po punojnë për ta themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues.

“Tani jemi duke punuar në mënyrë intensive për t’i përcaktuar objektivat e këtij Komiteti të Përbashkët Monitorues. Ai do të jetë autoriteti”, tha Lajçak në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe Euronews-in në gjuhën serbe.

“Komiteti i Përbashkët Monitorues është një platformë ku do t’i diskutojmë gjërat. Ai do të themelohet ashtu siç është rënë dakord, brenda 30 ditësh nga miratimi i këtij Aneksi”, ka theksuar diplomati sllovak.

Lajçak do t’i ftojë në një takim në Bruksel kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ai konfirmoi të martën se ky do të jetë hapi i ardhshëm në dialog, duke treguar se me përfaqësuesit e të dy vendeve do t’i diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes.

Në Bruksel janë duke e përgatitur një propozim se si duhet të nis zbatimi i marrëveshjes.

“Ne po përgatisim propozimin tonë, pres që edhe ata të kenë propozimet e tyre, dhe për mua qasja më e mirë për të ecur përpara është që të procedojmë hap pas hapi: njëra palë bën një hap, pala tjetër një tjetër. Nuk dua të flas për këta hapa tani, pasi që nuk ka një platformë zyrtare, një dokument zyrtar dhe ne duhet të pajtohemi për këtë. Por, unë ju siguroj se ne jemi shumë të fokusuar, të vendosur dhe ne do të sigurohemi se ajo për të cilën jemi pajtuar, do të zbatohet”, ka thënë Lajçak.

Ai nuk ka mohuar se marrëveshja do të kërkohet të zbatohet deri në fund të vitit, për shkak të zgjedhjeve dhe çështjeve të rëndësishme që pritet të ndodhin brenda BE-së në vitin 2024. “Ky nuk është sekret”, ka thënë Lajçak.

“E kemi thënë shumë herë se ne duam ta përfundojmë këtë proces gjatë mandatit aktual të udhëheqjes së BE-së, të Komisionit Europian, por edhe të administratës amerikane. Do të ketë një realitet të ri politik vitin e ardhshëm. Ka zgjedhje në Europë, në SHBA, do të ketë më pak vëmendje, më pak përkushtim. Ne besojmë se kemi kohë të mjaftueshme që ta përmbyllim këtë proces në mënyrë të suksesshme dhe të zbatojmë nenet e kësaj marrëveshjeje. Por, e gjithë kjo varet nga përkushtimi i palëve”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat