Dëshmitarja: Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi e torturuan burrin tim në Kukës

Aktuale

Dëshmitarja: Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi e torturuan burrin tim në Kukës

Më: 28 mars 2023 Në ora: 17:29
Kjo është dëshmitarja e dytë në procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës.

Dëshmitarja e mbrojtur e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se burri i saj ishte keqtrajtuar në një fabrikë metali në Kukës. Ajo ka thënë se ishte Pjetër Shala, Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi e të tjerë që e kishin torturuar atë. Sipas saj, atje e kishin pyetur pse ishte shoqëruar me serbët.

Dëshmitarja ka folur për periudhën e bombardimeve të NATO-s, kur ajo dhe familja e saj kishin shkuar në Shqipëri.

Atje, sipas saj, katër persona i kishin kidnapuar burrin dhe mbajtur atë për gati dy javë.

Dëshmitarja: Katër persona e kanë kidnapuar burrin tim në Shqipëri

“Atë ditë kanë dalur me shëtitë, me djalin, me pronarin e shtëpisë dhe kur kanë shkuar në një vend ka ardhur një kerr me katër veta të armatosur dhe e kanë ndalur kerrin menjëherë, e kanë kapur burrin nga krahu, i kanë thënë pronarit të shtëpisë lëshoje, ai ka thënë jo se nuk duhet kështu. E kanë tërheq burrin, e kanë shti në kerr, e kanë mbyll derën, nuk kanë folë me asnjërin, të gjithë kemi dalë të rruga kryesore, kanë dalë edhe shumë njerëz at, shqetësimet që i kishim ,por ai ka ikur me shpejtësi dhe nuk kemi mundur ta ndalim”, ka thënë ajo.

Momentin e rrëmbimin, ajo thotë se nuk e ka parë vet por i ka treguar djali dhe pronari i shtëpisë në të cilën qëndronin, ndërsa shton se e ka parë vetëm makinën duke u larguar.

Ajo ka thënë se bashkë me djalin këtë rast e kishin lajmëruar në Policinë e Durrësit.

Sipas dëshmitares, katër personat nuk kanë treguar pse po e marrin burrin e saj.

Dëshmitarja: Burri im na ka treguar për torturat pasi është kthyer nga Kukësi

“Nuk i kanë thënë por i kanë thënë në ndalimin arbitrar në qendrën e ndalimit në fabrikën e metalit në Kukës, atje i kanë thënë, edhe gjatë rrugës për në Kukës e kanë ndaluar ku e kanë torturuar, nuk i ka njohur kush janë ata, i kanë thënë njëri tjetrit ‘cili po e vrani, ta vraj unë apo ti - burrin. Na ka treguar kur është kthyer prej ndalimit arbitrar në fabrikën e metalit në Kukës na ka treguar të gjitha çka i kanë ndodhur atje”, ka thënë dëshmitarja me numrin 6.

Ajo ka thënë se burri i saj kishte telefonuar një herë nga fabrika e Kukësit dhe u kishte thënë se është gjallë.

Dëshmitarja: Burri ka telefonuar nga fabrika në Kukës dhe ka thënë se është mirë

“Një ditë ka thirrë në telefon nga vend-ndalimi, nga fabrika e metalit, ka thënë se ‘unë jam mirë, a jeni mirë ju’ vetëm kaq, është lajmëruar se është gjallë. Nuk na ka tregu se ku gjendet, sepse nuk ja kanë lejuar”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se burri ishte kthyer në shtëpi pas 12 apo 13 ditësh por personat që e shoqëronin nuk ishin ndalur për të biseduar.

Dëshmitarja: Pas 13 ditësh burrin e kemi takuar në gjendje shumë të vështirë

“I palarë, i përgjakur, era e rrobave, i kishin veshur një maicë të zezë, i kanë thënë që do të punosh me neve. E kemi pasur një gjendje shumë të vështirë psikike, morale, të gjitha, kanë qarë djali dhe vajza e vogël, kurse ne të tjerët përpiqeshim t’i jepnim kurajë, t’i themi se kush është një njëri me identitet njerëzor nuk i bën këto, por ata që mund të jenë kriminel. E kemi marrë e kemi pastruar. Më vonë më ka treguar edhe raste të tjera që i kanë ndodhur, më ka treguar se kanë pasur një jetë shumë të vështirë për 13 ditë, pak ushqime, edhe ato të pa-pastërta, kanë rënë në dysheme. Unë i kanë dhënë nga pak, dhe të gjitha këto, edhe për torturat që i janë bërë nga personat që kanë qenë ty, nga ushtarët e UÇK-së”, ka thënë ajo.

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja ka thënë se nuk e di në cilën pjesë të fabrikës e kanë mbajtur burrin e saj. Por sipas saj atje kishte edhe shumë persona të tjerë të ndaluar.

Dëshmitarja: Në Kukës i kanë thënë pse ka ndejt me serbët

“I kanë thënë ‘pse ke ndejt me serbët’, i ka thënë burri të ‘gjithë kanë ndejt me serbët, kur është paraqit nevoja kemi jetuar, gjëra të tjera nuk kam bërë, nuk kam bërë vepra kriminale asnjëherë, 37 vjet si zyrtar nuk i kam bëra këto gjëra që po i bëni tash”, ka thënë ajo.

Prokurorja e ka pyetur atë nëse i di emrat e personave për të cilët burri i saj kishte thënë se e kanë torturuar.

Dëshmitarja: Burri im është keqtrajtuar nga Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi dhe Pjetër Shala

“Disa persona i ka identifikuar, i ka ditë cilët janë, na ka treguar. Mund t’i them emrat, ata kanë qenë Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, kanë qenë edhe të tjerë, njëri nga ta ka qenë edhe Pjetër Shala”, ka thënë dëshmitarja e ZPS-së.

Ndër të tjera, dëshmitarja ka kërkuar të tregojë edhe një ngjarje tjetër që sipas saj ka ndodhur para kidnapimit të burrit, por kjo pjesë ka vijuar e redaktuar.

Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja u është përgjigjur në seancë private pyetjeve të mbrojtësit të viktimave.

Dëshmia e saj vazhdon edhe nesër para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Kjo është dëshmitarja e dytë në procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës.

Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat