Xhirimet që përshpejtuan ardhjen e ambasadorit Walker dhe bombardimet e NATO-s

Aktuale

Xhirimet që përshpejtuan ardhjen e ambasadorit Walker dhe bombardimet e NATO-s

Më: 28 mars 2023 Në ora: 21:16
William Walker

Kameramani i Associated Press, Sylejman Kllokoqi, ka thënë se në fillim nuk e ka ditur vendndodhjen e fshatit të Abrisë, aty ku ka ndodhur masakra nga forcat serbe, e ku kanë mbetur të vrarë 23 persona të familjes Deliu.

Kllokoqi ka treguar se me ndihmën e dhëndrit të tij, e ka gjetur vendndodhjen e masakrës, ku më pas ka parë dhe xhiruar gjithë masakrën që ka ndodhur aty.

“Nuk e dija ku është Abrija dhe e pyes dhëndrin me prejardhje nga Drenica se ku është. Më tha në këtë vend, ma shpjegoi edhe unë shkova. Kur hy aty, kush e njeh tash Abrinë dhe Likocin? Likoci ish më lartë, Abria më poshtë. Plumbat fluturonin nga Likoci kah Abria. Herën e parë aty e vura një pancir. A mundesh me marrë me mend me hy në Abri, duke u ndezur të gjitha shtëpitë e fshatit, plumbat duke fluturuar edhe unë po hy në atë vend për me xhiru masakrën”, tregoi kameramani.

Kllokoqi bashkë me një gazetar të huaj, tregon se një anëtarë prej familjes Deliu i ka përcjellë dhe dërguar deri tek masakra, aty ku kanë qenë personat e masakruar nga forcat serbe.

“Ndalna diku duke trokitur në derë me më tregu dikush ku janë masakrat se unë e gjeta Abrinë, por vendin se ku është jo. Si sot, një familje e Deliajve miku im që në atë kohë më mori edhe më përcjelli deri te masakra. E mora një gazetar të huaj me veti, Adam i Kanadasë, u ndal aty dhe e mori satelitin, telefon në atë kohë dhe i thirri të Londrës. I thash lëre plumbat po fluturojnë mbi kokë ti po ndalesh me telefonu. Jo, më tha se duhet Londra me ditë që nëse vdesim me ditë se ku me na gjet. Ai i telefonoi dhe ia tregoi pikën, pastaj hymë na brenda i xhiruam dhe u kthyem”, tregoi mes tjerash Kllokoqi.

Kllokoqi ka treguar se rrugës deri te masakra ka pasur persona të vdekur çdo 100 metra.

“Kur u kthyem, shpejt i xhirova ato materiale, kinse fshehtas i dorëzova, por jo i kish pa policia krejt. Unë mbërrij herët në mëngjes dhe takimi i parë është me njeriun në një shtëpi pa kokë i xhirova ato dhe filloj në anën e majtë të asaj shtëpie me hyp kodrave. Asaj rruge çdo 100 metra ishte nga një, dy i vdekur derisa mbërrij në Luginë, aty kur mbërrij aty e shoh trupat e tjerë. I xhiroj ato shpejt dhe shpejt i dërgova”, rrëfeu Kllokoqi.

Ai tregon edhe lajmin kur kuptoi që nga xhirimet e tij, e gjithë Evropa e kishte parë masakrën që ka ndodhur.

“Në mëngjes kur janë zgjuar Evropa i kanë parë ato xhirime të masakrës. Mandej në orën 11:00 unë kthehem me përcjell ngjarjen këtu dhe vjen Walkeri vetë me i pa. Pastaj e jep atë deklaratën e tij të famshme”, shtoi ai.

Kllokoqi thotë që ai e ka sjellë William Walkerin në Kosovë.

“Unë e pruna Walkerin, mandej e prunen NATO-n. Pas kësaj filluan bisedimet edhe erdhën bombardimet e Kosovës”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat