Demhasaj: Për reformën në drejtësi nuk duhet të punojë vetëm Qeveria, është logjikë e gabuar

Aktuale

Demhasaj: Për reformën në drejtësi nuk duhet të punojë vetëm Qeveria, është logjikë e gabuar

Më: 28 mars 2023 Në ora: 21:21
Arton Demhasaj

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Arton Demhasaj duke folur për Ligjin për Këshillin Prokurorial që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se arsyeja pse është hedhur poshtë është sulmi ndaj sigurisë juridike.

“Disa anëtarë të Këshillit Prokurorial që kanë marrë mandat, qoftë duke u votuar brenda sistemit prokurorial apo qoftë duke u zgjedhur në Kuvend, po ju merret mandati me një Ligj. E që efekti retroaktiv i ligjeve zakonisht lejohet vetëm kur është në dëm të palëve e jo kur është në favor të palëve. Esenca e sigurisë juridike po atakohet dhe prandaj po hidhen poshtë këto ligje”, ka thënë Demhasaj.

Sipas tij, në reformën në drejtësi logjika është e gabuar. Kjo pasi që sipas Demhasajt reformimi nuk duhet të bëhet vetëm nga partia në pushtet por duhet pasur konsensus politik.

“Po ideja e reformimit nuk mendoj që duhet me qenë ide e një partie politike që është në Qeveri, qoftë ajo edhe me 50+ % po nëse shteti e ka për qëllim me bë një reformë të thellë, ajo duhet të bëhet me konsensus në Kuvend duke i përfshi të gjitha partitë politike. Nëse kjo do të ndodhte prej fillimit që reforma të kish filluar me një consensus edhe të opozitës mendoj që nuk kish pas nevojë me shku fare në Kushtetuese. Por duke e marrë barrën komplet Qeveria vet, kemi përfunduar këtu ku jemi. Puna pothuajse 1-vjeçare bjen poshtë. Mund të shkojnë edhe ligje të tjera në Kushtetuese sepse logjika është e njëjtë”, ka deklaruar Demhasaj.

Sipas tij, fakti që shumë ligje po kanë telashe me Kushtetutën, krijohet përshtypja se do të përmbyset rendi kushtetues.

“Përveç ligjit të vjetër për paga, nuk kemi pas ligje të tjera që janë hedh poshtë për shkak që konsiderohen jokushtetuese. Dhe tash kur i shohim kaq shumë ligje të krijohet një përshtypje që do me u përmbys rendi kushtetues që e kemi”, ka thënë Demhasaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat