Spanja s’bindet as nga Marrëveshja e Ohrit e as nga deklarimi i Blinken, thonë se nuk e njohin Kosovën

Aktuale

Spanja s’bindet as nga Marrëveshja e Ohrit e as nga deklarimi i Blinken, thonë se nuk e njohin Kosovën

Më: 30 mars 2023 Në ora: 15:38
Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës kanë thënë se nuk kanë lëvizur qëndrimin karshi Kosovës, pra nuk e njohin.

Të pyetur lidhur me komentin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se ai është optimist se shtetet mos-njohëse do të ndryshojnë qëndrim ndaj Kosovës pas Marrëveshjes së Ohrit, një zëdhënëse e MPJ-së së Spanjës tha se mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e shpalljes së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina më 2008-ën dhe mbështet fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja”, deklaron zëdhënësja e diplomacisë spanjolle.

Sido që të jetë, Spanja përshëndeti përpjekjet e arritura në Marrëveshjen e Ohrit.

“Në këtë drejtim, Spanja mirëpret marrëveshjet e fundit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe njeh dhe mbështet përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, krahas marrëveshjeve të mëparshme, tashmë është thelbësor, pasi kjo është një mundësi që nuk duhet humbur”, vijon deklaratën zëdhënësja e MPJ-së spanjolle.

Pas Marrëveshjes së Ohrit, për pozicionin e tyre drejt njohjes së Kosovës janë deklaruar edhe nga Greqia. Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou, një herë nga Athina e më pas edhe nga vizita zyrtare në Beograd e ka theksuar se Greqia s’e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shprehur optimist se Marrëveshja e Ohrit mund t’i nxis pesë shtetet mos-njohëse që ta njohin Kosovën.

“Është shumë një çështje që ngrihej dhe vazhdon të diskutohet. Por unë gjithashtu mendoj se kjo marrëveshje përsëri, në fakt na vendos në një rrugë drejt njohjes nga këto vende. Tani vetë Serbia, kjo mund të jetë një çështje tjetër për ca kohë, por nëse ata arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, unë mendoj se do të ketë efekte shumë pozitive vetëm në ndërveprimet e përditshme dhe mendoj se përfundimisht do të arrijë atje. Por, sa i përket pesë vendet e mbetura, fakti që të dyja vendet tani kanë arritur këtë marrëveshje dhe duke supozuar se do ta zbatojnë atë, mendoj se do t’i shtyjë ata drejt njohjes”, ka thënë Blinken.

Pesë shtetet mos-njohëse anëtare të BE-së janë Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat