​Mbrojtja e Krasniqit: UÇK-ja nuk kishte zinxhir funksional vertikal komandues

Aktuale

​Mbrojtja e Krasniqit: UÇK-ja nuk kishte zinxhir funksional vertikal komandues

Më: 5 prill 2023 Në ora: 13:31
Venkateswari Alagendra

Mbrojtja e Jakup Krasniqit në seancën e sotme në Hagë para trupit gjykues përmes deklaratës hyrëse u shpreh se nuk ka asnjë provë që e lidh ish-zëdhënësin e UÇK-së me krimet e pretenduara nga ZPS-ja.

Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra tha se Jakup Krasniqi nuk kishte mjete për të qenë në dijeni për krimet që pretendohet se janë kryer.

Siç u shpreh ajo provat do të tregojnë se UÇK-ja kurrë nuk ka qenë në gjendje të arrijë nivelin që pretendohet nga Prokuroria.

Alegendra: Nuk ka asnjë provë të besueshme që e lidh Jakup Krasniqin me krim

“Ne kemi besim të plotë që në fund të çështjes së prokurorisë ne do të kemi mundësinë që të bëjmë të njëjtën parashtrim siç po bëjmë deri më tani se nuk ka asnjë provë të besueshme që e lidh Jakup Krasniqin me asnjë krim që nuk ka prova të besueshme për qëllimin kriminal të përbashkët dhe nuk ka arsye që kërkojnë mbrojtjen që t’i përgjigjet çështjes së Prokurorisë... Pas 25 vitesh, pas fillimit të konfliktit të armatosur, pas vitesh hetimesh pas të gjitha përpjekjeve të raportit të Dick Martyt, pas të gjitha përpjekjeve të TPNJ e të gjitha përpjekjeve të EULEX jemi duke filluar këtë gjykim dhe kemi një fakt të pakundërshtueshëm, asnjë dëshmitar i besueshëm, asnjë burrë, grua apo fëmijë, asnjë ndërkombëtar nuk mund të thotë se ‘Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm dhe ka marr pjesë në marrjen në pyetje, torturën, keqtrajtimin apo vrasjen e ndonjë civili’ as në emrin dhe as në praninë e tij”, u shpreh ajo.

Më tej, avokatja Alegendra theksoi se provat do të tregojnë se UÇK-ja nuk kishte zinxhir funksional vertikal komandues ashtu siç pretendon Prokuroria Speciale.

Alegendra: Provat do të tregojnë se UÇK nuk ka pasur zinxhir funksional vertikal komande

“Provat do të tregojnë se nuk ka pasur asnjëherë një zinxhir funksional vertikal komande. Dëshmitarët e Prokurorisë do të vijnë dhe do t’i tregojnë kësaj gjykate rreth kufizimit të komunikimit dhe mungesës së raportimit dhe mungesës së tyre të informimit mbi rregulloret mbi të cilat mbështetet Prokuroria. Nga fillimi deri në fund shtabi i përgjithshëm nuk ka pasur asnjëherë aftësinë që të imponojë një plan të përbashkët për luftëtarët duke e quajtur vetën Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, u shpreh ajo.

Avokatja e Krasniqit, Alegendra u shpreh se UÇK ishte mbështetur nga NATO-ja, prandaj ajo konsideron se Prokuroria Speciale po e anashkalon këtë mbështetje.

Në vazhdën e deklarimit mbrojtja e Krasniqit përmendi edhe kohën pas përfundimit të bombardimeve, duke thënë se situata ishte kaotike.

Alegendra: Prokuroria anashkalon domethënien e mbështetjes së NATO-së për UÇK-në

“Prokuroria anashkalon domethënien e mbështetjes së NATO-s për UÇK-në. Një tipar i pamohueshëm është mbështetja e NATO-s në Kosovë për UÇK-në. NATO u angazhua me UÇK-në në nivele të ndryshme. Pa sulmet ajrore të NATO-s forcat serbe nuk do të ishin larguar nga Kosova. Në të njëjtën kohë Prokuroria pretendon se kishte një plan të përbashkët kriminal që ajo tha para dy ditësh se ky plan nuk ishte sekret, u tha në publik kjo gjë. Kjo do të thoshte se NATO-ja mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur, kjo nuk mund të jetë gjithsesi e drejtë, kjo është padiskutim e gabuar”, theksoi ai.

Në seancën e sotme para trupit gjykues në Gjykatën Speciale me një fjalë u drejtua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi i cili tha se nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në asnjë vrasje apo burgosje.

Ndërsa, krahas deklaratës hyrëse që e tha sot mbrojtja e Krasniqit, gjatë ditës së djeshme fjalën hyrëse e thanë edhe mbrojtjae ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e ish-deputetit Rexhep Selimi. Gjithashtu nga një deklaratë pa betim, të martën e ka dhënë edhe ish-presidenti Thaçi dhe ish-deputeti Selimi.

Ndërsa, të hënën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale deklaratën hyrëse e ka dhënë edhe ZPS-ja.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat