Qerkini pesimist sa i përket dakordimit në Bruksel për të pagjeturit

Aktuale

Qerkini pesimist sa i përket dakordimit në Bruksel për të pagjeturit

Më: 7 prill 2023 Në ora: 06:12
Bajram Qerkini

Kryetar i Këshillit Koordinues të Familjarëve të Pagjetur, Bajram Qerkini, ende e ka të paqartë se çfarë është biseduar dhe çfarë është dakorduar në takimin e fundit ndërmjet dy kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq sa i përket çështjes së të pagjeturve.

Ai në një intervistë për “Lajmet e Fundit”, ka thënë se ende është e mjegullt biseda e cila është bërë në Bruksel dhe ajo në Ohër.

“Ende është e paqartë ajo çfarë është biseduar. Çështja e të pagjeturve ka qenë pika gjashtë, tani është bërë pika e katër. Në një mënyrë thuhet se është arritur një hap përpara dhe se do të thirren të zhdukur me dhunë. Neve si familjarë kjo po na duket si qesharake ose si stagnim i çështjes së pagjeturve e jo zhvillim. A thua pse? Se kur thua të zhdukur nuk duhet mi lyp, por kur thua të pagjeturit me dhunë e dimë se asnjë njeri nuk shkon për qejf në Beograd as sot e lërë më gjatë luftës. Unë kam qenë në Batajnicë ku janë gjendur në 8 gropa 800 – 900 vetë. A thua ata kanë shkuar atje pa dhunë! Herë do kur Serbia do të dënohet për gjenocidin që ka bërë me popullin e pambrojtur”, ka theksuar Qerkini.

Ai është shprehur i habitur se si drejtuesit e institucioneve tani po kënaqen që Serbia ka pranuar për deklaratën ‘të zhdukurit me dhunë‘.

“Personalisht mendoj se nuk ka asgjë prej kësaj pune, vetëm me zvarrit procesin në negociata. Pranoi apo nuk e pranoi Serbia, ata i ka marrë me dhunë“, ka shtuar Qerkini.

Ai ka thënë se është e pamundur të besohet që Serbia do t’i hapë dosjet dhe do të pranojë se ushtria dhe policia e saj i ka mbytur shqiptarët.

“Le të harrojë edhe kryeministri aktual edhe të gjithë liderët se do t’i hapë dosjet Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij asnjë varrezë masive deri më tash nuk është zbuluar pa e pasur imazhin satelitor nga shtetet e QUINT-it. Sipas tij nëse do të kishte seriozitet çështja e të pagjeturve do të përmbyllej, sepse ekzistojnë imazhet satelitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat