​Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për respektimin e obligimeve të Ohrit

Aktuale

​Osmani: Aleatët t’i bëjnë presion Serbisë për respektimin e obligimeve të Ohrit

Më: 26 prill 2023 Në ora: 14:25
Foto nga vendngjarja

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani shpreson që aleatët e Kosovës t’i bëjnë presion Serbisë që kjo e fundit të respektojë obligimet që i ka nga aneksi i dakorduar një muaj më parë në Ohër. Osmani ka thënë se Kosova është përgatitur për raundin e ri të bisedimeve në Bruksel dhe ka theksuar se do të jetë konstruktive me zgjidhje që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

Për procesin e dialogut, Osmani ka folur në Shkup, pas takimit që ka zhvilluar me homologun e saj, Stevo Pendarovski.

Osmani: Serbia e ka shkelur marrëveshjen

“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë pak a shumë mund të nuhasim nga deklaratat e te të fundit por mbi të gjitha nga veprimet e tyre të cilat kanë qenë shkelje të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër, siç e dini neni 4 i kësaj marrëveshje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante, dhe natyrisht edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Republikën e Kosovës është shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshje, dhe njëkohësisht e akteve dhe normave juridike ndërkombëtare të cilat janë të aplikueshëm për të gjitha shtetet tona”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se pret që aleatët ndërkombëtar të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të respektojë obligimet që i ka marrë.

Osmani: Aleatët tanë të bëjnë presion mbi Serbinë që të respektojë obligimet e saj

“Shpresoj shumë që miqtë dhe aleatët tanë do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, të bëjnë presion mbi Serbinë në mënyrë që edhe ajo të respektojë obligimet që janë marrë nga ky proces i cili mendoj që ka qen një hap i rëndësishëm ku Kosova dhe Serbia trajtohen nga aspekti i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare si dy palë të barabarta sa I përket raporteve ndërshtetërore ku të dyja palët e njohin sovranitetin, në këtë rast Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës që e ka kontestuar por nëpërmjet neneve të kësaj marrëveshje është një njohje defacto e cila assesi nuk mund të mohohet nga cilido njeri që e lexon tekstin e marrëveshjes”, ka thënë ajo.

Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përgatitur për takimin që pitet të zhvillohet në mes të palëve më 2 maj.

Osmani: Kosova do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve

“Çka mund të garantoj unë si president e Republikës së Kosovës, që Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë raund të bisedimeve në mirëbesim, do të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe e hapur gjithnjë duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës, funksionalitetin e brendshëm të shtetit por edhe duke kontribuar me zgjidhje që i kontribuojnë pastaj paqes dhe stabilitetit afatgjatë...Më 2 maj siç e dini do të ketë diskutime për pika të ndryshme të kësaj marrëveshje, ju siguroj që Kosova është e përgatitur për gjithsecilën, jemi duke bërë përgatitje intensive, takime të shumë me kryeministrin, me ministrat e qeverisë, me ekipet tona të cilat po punojnë në dokumente të të cilat do të prezantohen. Por një gjë është e qatë, Kosova vazhdimisht do të respektojë sovranitetin e saj, integritetin territorial funksionalitetin e brendshëm,, kushtetutën e saj”, ka thënë Osmani.

Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se janë të interesuar që sa më parë të shohin fundin e këtij procesi.

Pendarovski: Duam të shohim sa më parë fundin e kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë

“Nëse dikush dëshiron të shikojë në përvojën tonë dhe të mësojë diçka prej përvojës sonë si shtet që e kemi, para se gjithash mendoj për Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, nuk do të gabojë sepse specifikat e çdo shteti diktojnë edhe zgjidhje specifike për atë shtet, nuk them se situata është identike, dhe se zgjidhjet e Marrëveshjes së Ohrit mund të reflektohen në një marrëveshje të ardhmen midis Kosovës dhe Serbisë, pro këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet, dhe midis shteteve ,të cilat mund të shfrytëzohen. Por vendimin final çka do të pranojnë në atë dialog, kuptohet e kanë organet legjitime në Beograd dhe në Prishtinë. Ne këtu jemi vetëm fqinjë të mirë të cilët duan që sa më parë të shohin fundin e këtij kontesti të gjatë që objektivisht e ngadalëson bashkëpunimin rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm n strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.

Pendarovski e ka pritur presidenten e Kosovës me nderime të larta shtetërore e ushtarake.

Osmani e ka falënderuar atë për votën pro për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat