Kajtazi: Deklarata për personat e zhdukur është katastrofale për Kosovën

Aktuale

Kajtazi: Deklarata për personat e zhdukur është katastrofale për Kosovën

Më: 3 maj 2023 Në ora: 22:57
Vehbi Kajtazi

Opinionisti, Vehbi Kajtazi, vlerëson se Kosovës mbrëmë i është shkaktuar një dëm i jashtëzakonshëm, duke iu referuar takimit Kurti-Vuçiq të mbajtur në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Për emisionin Rubikon ai shtoi se i është shkaktuar dëmi luftës së Kosovës, përgjegjësisë në konfliktin e armatosur dhe përgjegjësisë për gjetjen e njerëzve të pagjetur.

“Mbrëmë është arritur një marrëveshje që është për personat e pagjetur. Ne nuk duhet të harrojmë çka ka ndodhur mbrëmë pikërisht në atë pikë, dhe ajo deklaratë e përbashkët që është një lloj dakordimi, për Kosovën është katastrofale”.

“Sepse Kosova e Serbia kanë marr përsipër përgjegjësitë për njerëzit e zhdukur, dhe njerëzit e zhdukur janë shqiptarë dhe serbë – natyrisht brenda territorit të Kosovës ka fatkeqësisht edhe të komuniteteve të tjera, derisa Serbia ka qenë në luftë në territorin e Kosovës me një udhëheqje politike, ushtarake, policore e cila ka kryer krime lufte në territorin e Kosovës. Ndërsa Kosova ka qenë duke e mbrojtur veten me një strukturë të armatosur guerile të cilën Kurti tash e bën përgjegjëse për zhdukjen e secilit serb në territorin e Kosovës”, deklaroi Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat