Djali pretendon se nëna i vdiq nga mungesa e mjekimit, e mohon Spitali

Aktuale

Djali pretendon se nëna i vdiq nga mungesa e mjekimit, e mohon Spitali

Më: 10 maj 2023 Në ora: 21:04
Spitali i Gjilanit

Një 92-vjeçare është sjellë për mjekim në Spitalin e Gjilanit të martën rreth orës 14.

Ajo është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore, e më pas ka vdekur pas disa orësh.

Djali i saj i është drejtuar policisë dhe pretendon se nëna i vdiq për shkak se nuk iu dha ndihma nga mjekët.

“Sipas deklaratës nga ankuesi, ai thotë se aty ka pasur të kryhet një operim, dhe sipas pretendimeve të tij ai thotë se janë vonu mjekët dhe nuk kanë ardhë me kohë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Për rastin, të cilin Policia e ka cilësuar si “Mosdhënie e ndihmës mjekësore”, nga spitali i Gjilanit kanë një version tjetër.

“Në bazë të dhënave të doktorit në fjalë, është kontrollu pacientja, është lëshu terapia, i është bërë CT-ja, janë marrë analizat laboratorike, që kanë rezultu me suficientë ceronale, kronike me vlera pak të nalta… dhe në bazë të CT-së, është përshkru si perfuracion i tubit digjestiv. Ndërkohe pacienti është pranu në kirurgji, në mjekim inteziv, ka ekzitu kur është bërë gati për sallë. Mungesë të anestizoligout nuk ka pasë, kemi mungesë të mjekëve anestiziolgë në përgjithësi, në raste të tilla anestiziolgu është përgjigjë ka ardhë brenda orës”, ka thënë Ruzhdi Kadriu, drejtor Mjekësor në Spitalin e Gjilanit.

Kadriu thotë se familjarët kishin refuzuar që e moshuara të dërgohet në QKUK.

“Duhet me i besu fjalëve të mjekut, ata kanë dhënë shërbime aq sa kanë pas mundësi dhe sa kanë ditë, në bazë të fjalëve të tij, ai ka dashtë me përgatit pacienten për me udhëzu në QKUK, për shkak të gjendjes së rëndë dhe vlerave të rënda, ka qenë pacient me rrezikshmëri të lartë, doktori ka dashtë me transferu, të cilën e kanë refuzu familjarët”, ka thënë ai.

Me rastin është duke u marrë edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit e cila ka urdhëruar që trupi i pa jetë i të moshuarës të dërgohet për autopsi.

Rasti është cilësuar si ‘’Mosdhënie e ndihmës mjekësore’’ edhe nga Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat