Rrëfen ngjarjen drejtori i shkollës së nxënësve nga Presheva që u aksidentuan sot në Vragoli

Aktuale

Rrëfen ngjarjen drejtori i shkollës së nxënësve nga Presheva që u aksidentuan sot në Vragoli

Më: 13 maj 2023 Në ora: 21:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri për në Preshevë. Mirëpo në magjistralen Prishtinë-Pejë, disa maturantë të shkollës së mesme teknike “Presheva” që po udhëtonin me autobus u aksidentuan me një kamion dhe një veturë.

Nga ndeshja, policia raporton se mbetën të lënduar 30 persona.

Drejtori i Emergjencës së QKUK-së Naser Syla, bëri të ditur se 13 të lënduar janë dërguar për trajtim dhe se të gjithë janë lëshuar për në shtëpi, pasiqë nuk kishin lëndime te rënda.

Talat Arifi, drejtor në SHML Teknike “Presheva”, pohon se 7 nga ta janë nxënës.

“Patëm një pauzë te një pompë e benzinës, dhe për 10 minuta udhëtim pasi dolëm ndodhi aksidenti. Kompania me të cilën e kemi organizuar këtë eksukurzion tani është organizuar dhe është duke e sjellë autobusin, që t’i marrë nxënësit e tjerë dhe t’i dërgojë në shtëpitë e tyre”, u shpreh Arifi.

Televizioni ka provuar të kontaktojë me udhëheqësit e kompanisë së autobusit, por të njëjtit nuk qenë të qasshëm.

Në udhëtim ishin edhe dy autobusë të tjerë që shpëtuan pa u përfshirë në ngjarje, të cilët po ashtu po ktheheshin nga shëtitja 6 ditore.

Me vete kemi pas mjekun dhe infermierin të cilët menjëherë kanë dhënë ndihmat e para që duhet t’u jepen nxënësve për shkak të frikës që e patën në autobus”, tha tutje drejtori.

Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi, pohoi se njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:50.

Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, që tha se nxënësit janë mirë dhe se komuna bashkë me agjencionin turistik kanë marrë masa për sigurimin e transportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat