Pa asnjë përparim, krejt çka ndodhi dje në takimin e Brukselit

Aktuale

Pa asnjë përparim, krejt çka ndodhi dje në takimin e Brukselit

Më: 16 maj 2023 Në ora: 08:40
Petar Petkoviq, Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Takim që nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash. Kjo është përmbledhja e asaj çka ndodhi dje në takimin disa orësht në Bruksel.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç i dhanë fund takimit të së hënës pa rezultat gjatë diskutimeve në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve që u arrit në muajin mars në Ohër.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.

I njëjti potencoi se palës serbe u interesonte vetëm formimi i Asociacionit, para se të vazhdohet me pikat tjera të zbatimit.

“Unë mendoj që rezultati as nuk është dasht të pritet sot. Është thellim i diskutimeve në mënyrë që ta kem të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe se ku duam të shkojmë. Gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes bazike të 27 shkurtit. Pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtu fare sot. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat na i ka sjell zoti Lajcak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë”, ka thënë Bislimi ndër tjerash.

Bislimi po ashtu njoftoi se temë e diskutimit ka qenë edhe situata në veri për të cilën e ka informuar Lajçakun.

Tutje Bislimi kritikoi EULEX-in pasi që sipas tij këto informacione është dashur që ata të ia përcjellin Lajçakut.

“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak.’’, ka thënë zëvendëskryeministri para gazetarëve.

Zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh se deklarimet se inaugurimi i kryetarëve të rinj në komunat veriore mund të shkaktojë tensione po merret si ftesë për tensione.

“Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë" përfundoi Bislimi.

Ndërkaq, i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë diskutimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të vazhdojnë.

“Kam pritur kryenegociatorët e Kosovës Besnik Bislimi dhe Serbisë Petar Petkoviq për një raund tjetër të takimeve të Dialogut në Bruksel. Ne diskutuam rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, tha Lajçak në Twitter.

Ky ishte takimi i parë mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq pas takimit të 2 majit në nivelin e lartë politik mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në takimin e 2 majit është rënë dakord për Deklaratën për Personat e Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë dhe është prezantuar draft-statuti për Asociacioni e Komunave me Shumicë Serbe nga Ekipi Menaxhues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat